Sot derbi i kryeqytetit/ Tirana kërkon kthesën, Partizani në kërkim të vazhdimësisë
Derbi i së dielës mes Tiranës dhe Partizanit pritet të zhvillohet nën një atmosferë të pazakontë, ndryshe nga përballjet tradicionale të dy rivalëve të kryeqytetit. Të dyja skuadrat i gjejnë vetet në një moment të ndërlikuar të sezonit, larg pritshmërive dhe standardeve që kanë vendosur ndër vite.
Tirana vjen e goditur pas humbjes së rëndë 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani shfaqet më i qetë pas suksesit minimal 1-0. Përballja e parë e kampionatit u mbyll me triumfin e bardhebluve, që mbetet i vetmi i këtij sezoni për ta.
Statistikat flasin qartë për vështirësitë që po hasin të dy kampet. Partizani renditet ndër ekipet me më pak zotërim topi në Abissnet Superiore, me një mesatare prej 44.6%, duke lënë pas vetëm Bylisin. Saktësia e pasimeve, 76.3%, është niveli më i ulët në kampionat për një skuadër që tradicionalisht ka bazuar lojën te kontrolli i qarkullimit.
Në krahun tjetër, Tirana po përballet me një problem të madh defensiv: lejon rreth 12.5 goditje në portë për ndeshje, shifra më e larta në ligë. Bardheblutë renditen të tretët për përqindjen e finalizimeve në kuadrat me 37.6%, ndërsa Partizani shfaqet në fund të listës me vetëm 21.8%.
E vetmja statistikë ku të dyja palët qëndrojnë mirë është përqindja e dueleve mbrojtëse të fituara, përtej 60%, por edhe kjo nuk mjafton për të mbuluar mangësitë e dukshme në lojë.
Në “Air Albania” pritet një mbrëmje me tension të lartë dhe me vështrimin e publikut të fokusuar te reagimi i skuadrave. Ky derbi mund të shërbejë si pika e kthesës për njërin prej dy gjigantëve të kryeqytetit, në një sezon që rrezikon të marrë kah të rrezikshëm nëse nuk vjen një ndryshim i menjëhershëm.
KOHA JONË SONDAZH

