Spalletti drejt Juventusit, tifozët shpërthejnë: Çfarë do të bëjë me tatuazhin?!
Problemet në fushë dhe në klub duket se nuk mjaftojnë për Juventusin, sepse tani ka shpërthyer një tjetër “çështje”, ajo e tifozëve. Lajmet për afrimin e Luciano Spallettit në pankinën bardhezi kanë ndezur reagime të forta, sidomos për shkak të së kaluarës së tij napolitane.
Tifozët e Juventusit nuk e kanë harruar faktin që Spalletti ka bërë tatuazh në krah titullin e fituar me Napolin, si simbol i suksesit historik në sezonin 2022/23. Për më tepër, ish-trajneri i Napolit është shpallur qytetar nderi i qytetit dhe ka shprehur vazhdimisht dashurinë për ekipin dhe tifozët napolitanë, diçka që e bën të vështirë për shumë juventinë ta pranojnë kalimin e tij në Torino.
Në rrjetet sociale, komentet janë të shumta dhe shpesh të ashpra: tifozët ndihen të tradhtuar, duke kujtuar se kjo nuk është hera e parë që ndodhin lëvizje të tilla “të ndaluara”. Para Spallettit, Sarri, dikur “armiku” numër një, nuk u pranua kurrë plotësisht, edhe pse ishte i fundit që fitoi titullin me Juventusin. Edhe Thiago Motta, me të kaluarën e tij te Interi, nuk e bindi kurrë plotësisht tifozërinë.
Megjithatë, realiteti është i qartë: prioriteti i klubit është rikthimi në majën e futbollit italian dhe europian. Sentimentet e tifozëve mbeten, por drejtuesit mendojnë për rezultatet. Siç ndodh edhe në dashuri, premtimet dhe deklaratat e së kaluarës mund të ndryshojnë me kohën.
KOHA JONË SONDAZH

