Spalletti kundër Contes, një sfidë mes dy trajnerëve që sfidojnë të shkuarën
Dy vite pasi u nderua me qytetarinë honorifike të Napolit, Luciano Spalletti kthehet sot në “qytetin e dashurisë”, por këtë herë në krahun e kundërt. Trajneri që udhëhoqi Napolin drejt titullit historik të tretë kampion rikthehet në “Maradona” si trajner i Juventusit, rivalit të përbetuar të klubit të qytetit.
Rikthimi i Spallettit vjen në një moment kur historia e tij ndërthuret në mënyrë të çuditshme me atë të Antonio Contes, ish-ikonë e Juventusit dhe aktualisht trajner i Napolit që synon një tjetër titull. Dy emrat e mëdhenj të pankinave italiane përballen për herë të parë zyrtarisht, me një sfond simbolik që e bën ndeshjen edhe më të ngarkuar emocionalisht.
Spalletti, i cili la një shenjë të pashlyeshme në Napoli, deri edhe me një tatuazh në krah pas fitimit të titullit,mbetet figurë e dashur për tifozët napolitanë. Por kalimi te Juventus ka sjellë diskutime, edhe pse në futbollin modern trajnerët e lojtarët shihen më shumë si profesionistë sesa si “flamuj” të përjetshëm.
Në Napoli, rikthimi i tij kujton rastet e famshme të së kaluarës si Altafini e Sivori, apo më të freskëta si Higuaín e Giuntoli, që ndezën debate mes tifozëve.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: Spalletti mbetet pjesë e historisë së artë të Napolit. Edhe kur do të zbresë në Napoli si drejtues i Juventusit, emri i tij vazhdon të ruajë respektin dhe vlerësimin që fitoi me punën dhe titullin e paharrueshëm të 2023-it.
KOHA JONË SONDAZH

