Spalletti zbulon “kartat” para sfidës me Monacon dhe i përgjigjet Contes
Luciano Spalletti nuk ka ndërmend ta nënvlerësojë aspak Monacon në prag të sfidës së fundit të Champions League. Trajneri i Juventusit, në një intervistë për Sky Sport, analizoi ndeshjen e së nesërmes kundër skuadrës monegaskase, duke theksuar rëndësinë e aspektit psikologjik.
“Nuk ka situatë më të mirë se kjo e jona për të treguar dhe për të rritur vetëdijen. Nuk kemi presionin e kualifikimit dhe mund të shohim realisht se në çfarë niveli jemi, nëse jemi të lirë mendërisht për të shprehur cilësitë dhe futbollin tonë”, u shpreh Spalletti.
Monaco, aktualisht me 9 pikë në renditje, ka nevojë domosdoshmërisht për fitore për të siguruar një vend në play-off. Për këtë arsye, Spalletti pret një përballje shumë të fortë: “Do të na sulmojnë për të fituar, sepse nuk mund ta mbajnë ndeshjen të hapur deri në fund. Edhe ne do të luajmë për fitore, sepse vetëm ajo na shërben për të synuar diçka më shumë. Do të jetë një ndeshje shumë e hapur ndaj një skuadre shumë të fortë. Duhet të jemi më shumë skuadër se ata, sepse disa prej lojtarëve të tyre kanë cilësi superiore. Nëse luajmë një ndeshje vetëm me përplasje fizike, mund të na kthehet kundër”.
Për ndeshjen në “Louis II”, trajneri bardhezi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, edhe për shkak të lodhjes dhe pranisë së lojtarëve të rrezikuar nga kartonët: “Do të ndryshojmë disa futbollistë, sepse kemi luajtur dy ditë më parë dhe do të luajmë sërish pas dy ditësh. Koopmeiners do të luajë në mesfushë. Bremerin po e vlerësojmë, sepse po shqyrtoj edhe gjendjen e Gattit, i cili nuk ka 100 minuta në këmbë. Mund të ketë një stafetë mes tyre. Në sulm do të luajë Openda”.
Në fund, Spalletti u ndal edhe te polemikat e fundit me Antonio Conten, duke i minimizuar ato: “Nëse këto janë tema të Champions League… për çfarë po flasim?”.
Ndërsa në konferencë shtypi shtoi me ironi: “Në fillim mendova se ishte inteligjencë artificiale, pastaj kuptova që ishte e vërtetë. Shpresoj që në Champions League të ketë tema të tjera, tema vërtet nga Champions-i”.
KOHA JONË SONDAZH

