Spanja triumfon në “frymën e fundit” ndaj Gjermanisë. Franca mposht Portugalinë me penallti
Spanja dhe Franca janë gjysëmfinalistet. Nesër priten ndeshjet Angli-Zvicër dhe Hollandë-Turqi.
Kronika.
Spanja është skuadra e parë gjysmëfinaliste në “Euro 2024”. La Roja mori një triumf dramatik 2-1 pas 120 minutash ndaj Gjermanisë vendase, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1. Ishte një ndeshje spektakolare, ashtu siç pritej, e cila dhuroi emocione të mëdha.
Spanjollët e filluan ndeshjen me një ritëm të lartë, duke dominuar në 45 minutat e para, por rastet nuk munguan as te Gjermania me Havertz.
Ekipi i de La Fuentes festoi në minutën e 50-të, kur Olmo ndëshkoi Neuer në brendësi të zonës, pas një topi të dhënë nga Yamal.
Gjermania shtoi presionin dhe zhvendosi kundërshtarin në gjysmëfushën e vetë. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, talenti i hedhur në pjesën e dytë, Wirtz çoi peshë zemrat e tifozëve në fund, goli i tij dërgoi sfidën në shtesë.
Më pas sfida ishte e mbushur me raste të shumta, por duelin e vendosi Merino me një gol shumë të bukur me kokë në minutën e fundit të shtesës, duke i dhënë fund aventurës së Gjermanisë në shtëpinë e tyre.
Toni Kroos mbyll karrierën brilante me “pancerat”.
Ndërkohë Francë-Portugali ishte ndeshje e cila shkoi te penalltitë, ku Franca triumfoi.
Koha e rregullt dhe shtesa përfunduan me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, luzitanët u zgjuan duke rritur presionin në fushë.
As shtesa nuk caktoi një fitues në Hamburg dhe gjithçka u zgjidh nga goditjet e 11 metërshit. Aty Gjelat ishin më të saktë duke fituar 5-4. I vetmi që e humbi penalltinë nga luzitanët ishte Joao Felix.
Franca tashmë do të përballet me Spanjën në gjysmëfinale, e cila arriti të eliminonte më herët Gjermaninë në minutat e fundit të kohës shtesë.