Spartaku i Moskës super ofertë për Hysajn, gati lamtumira nga Napoli
Të dhëna të rëndësishme janë regjistruar në orët e fundit për Elseid Hysaj. Sipas gazetës “Tuttosport”, futbollisti shqiptar është në pritje të lajmeve nga merkato, teksa kanë mbetur edhe pak ditë. E ardhmja e tij mund të mësohet shumë shpejt.
“Kemi marrë një ofertë nga Spartak i Moskës të cilën po e vlerësojmë. A është i kënaqur Napoli? Të Kaltrit duhet të shesin për të mos ta humbur Elseidin me parametra zero. Do të ishte një mëkat që ta lejonin të largohej në atë mënyrë”, ka thënë agjenti i shkodranit, Mario Giuffredi për Radio Marte.
Spartaku ka ofruar për mbrojtësin një kontratë 4-vjeçare me plotë 3 milionë euro në sezon, ndërkohë që Napolit i ka ofruar 7 milionë euro. Në fakt De Laurenttis kërkon 10 milionë euro. Dyshimet e drejtuesve për të ardhmen e Hysajt, kanë bërë që Napoli të tregohet vigjilent edhe për Malcuit, për të cilin ka thënë një “jo” të prerë te Parma. Kjo situatë pritet të zgjidhet në ditët në vijim, teksa Hysaj me shumë mundësi do të mësojë edhe të ardhmen e tij. /R.Lika-Koha Jone/