SPECIALE/ 2025 thuajse perfekte për Kombëtaren kuqezi, shtrohet rruga … për Kupën e Botës

Albania's Rey Manaj celebrates after scoring his side's opening goal during the World Cup Group K qualifying soccer match between Serbia and Albania, at the Dubocica Stadium in Leskovac, Serbia, Saturday, Oct. 11, 2025. (AP Photo/Darko Vojinovic)

Viti 2025 do të mbahet mend si një nga më pozitivët në historinë e fundit të Kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë zhvilluan një edicion pothuajse perfekt, duke pësuar vetëm dy humbje, të dyja ndaj Anglisë: një në ndeshjen hapëse të marsit dhe tjetra në përballjen e fundit të nëntorit. Mes këtyre dy takimeve, Shqipëria ndërtoi një ecuri mbresëlënëse, duke mos humbur asnjë ndeshje tjetër dhe duke treguar rritje të qartë në stabilitet, mentalitet dhe rezultate.

Periudha nga marsi deri në dhjetor ishte ajo që përcaktoi fytyrën reale të kësaj Kombëtareje. Skuadra ishte solide, e organizuar dhe e vështirë për t’u mposhtur, duke kthyer çdo ndeshje në një betejë të hapur për kundërshtarin.

Rezultati që la më shumë shije të hidhur ishte padyshim barazimi 1-1 në transfertë ndaj Letonisë. Duke parë diferencën në nivel dhe objektiva, pritej një fitore e qartë për Shqipërinë, por ndeshja rezultoi më e ndërlikuar seç parashikohej. Megjithatë, ajo sfidë shërbeu si pikë kthese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

Pas atij barazimi, kuqezinjtë nuk pësuan më gola për një periudhë të gjatë dhe nisën të ndërtojnë një seri rezultatesh pozitive, duke përfshirë edhe një barazim të rëndësishëm ndaj Serbisë, që u prit si sinjal force dhe pjekurie. Pas përballjes me Serbinë, Kombëtarja shqiptare ndezi motorët dhe nisi një ecurí rekord me pesë fitore radhazi, diçka që nuk ishte arritur kurrë më parë.

Fitorja e parë e kësaj serie erdhi më 4 shtator, në një miqësore ndaj Gjibraltarit. Një ndeshje e vështirë, pa shumë shkëlqim dhe me një Shqipëri që vuajti më shumë seç pritej, por që arriti të fitojë 0-1, duke konfirmuar se edhe në ditët jo më të mira, skuadra dinte të merrte rezultatin.

Pak ditë më pas, kuqezinjtë pritën Letoninë në Tiranë dhe fituan sërish 1-0, në një takim ku loja nuk ishte bindëse dhe fati i ndeshjes u vendos nga një penallti. Pas sfidës, stafi dhe lojtarët u shprehën hapur: në këtë fazë, pikët kishin përparësi ndaj lojës së bukur. Dhe koha u dha të drejtë.

Një muaj më vonë erdhi ndoshta performanca më e mirë e Shqipërisë në kualifikuese: fitorja 0-1 në Serbi. Një ndeshje e luajtur me autoritet, qetësi dhe disiplinë taktike, ku Shqipëria kontrolloi ritmin dhe tregoi personalitet në një transfertë historikisht të vështirë.

Seria e fitoreve vazhdoi me sukses edhe në miqësoren ndaj Jordanisë, ku Shqipëria shënoi 4 gola, duke treguar potencial ofensiv, edhe pse pësoi 2. Një ndeshje që shërbeu për të rritur vetëbesimin dhe për të testuar alternativa në fazën sulmuese.

Fitorja e pestë radhazi dhe ndoshta më e rëndësishmja erdhi në nëntor, në transfertë ndaj Andorrës, me rezultatin 0-1. Një sukses që vulosi një seri historike dhe konfirmoi se 2025 ishte një vit i veçantë për Kombëtaren shqiptare.

Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte arritur të fitonte pesë ndeshje radhazi, dhe kjo arritje e vendos 2025-n mes viteve më të suksesshme të kuqezinjve. Një Kombëtare që mësoi të fitojë edhe pa shkëlqyer, të vuajë pa u dorëzuar dhe të besojë se objektivat e mëdha nuk janë më thjesht ëndrra.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?