SPECIALE/ 3 kërkesat e Antonio Contes për Interin e së nesërmes
Interi pas fitimit të titullit kampion ka nisur të mendojë për të ardhmen, e cila sigurisht do të jetë nën drejtimin e Antonio Contes. “Nuk ka asnjë plan B, ka vetëm një plan A dhe është ai”, ripërsëriti drejtori sportiv, Marotta. Në këtë plan padyshim që janë edhe idetë e strategut italian, që përqendrohet në tre pika: Konfirmim i lojtarëve të mëdhenj në skuadër, përmirësimi në disa aspekte ku ekipi ka çaluar, qartësi në komunikimin e objektivave. Titulli padyshim është meritë e punës së bërë nga Conte, por veçanërisht e protagonistëve që janë lojtarët. 5 yjet e pazëvendësueshëm janë Lukaku, Lautaro, Hakimi, Barella dhe Bastoni.
E ardhmja – Merkato e kësaj vere do të jetë e komplikuar për shumë skuadra, të cilat kanë vuajtur shumë pasojat e pandemisë. Ekipi zikaltër kërkon që të ruajë edhe bilancin, duke larguar disa futbollistë, por edhe duke bërë afrime inteligjente. Do të dëgjohen oferta për të gjithë. Me kujdes duhet parë situata e Brozovic, i cili ka një kontratë deri në vitin 2022, por ende nuk ka rinovuar. Plani i përforcimit përfshin disa role të ndryshime. Portieri është një nga këto. Conte ka kërkuar një portier tjetër që nga vera e vitit 2019, edhe pse në fakt Handanovic, vijon të mbetet një siguri.
Emrat Musso është zgjidhja perfekte, Silvestri është më i thjeshtë për t’u rrëmbyer. Një mbrojtës në krahun e majtë është një prioritet. Emri më i kërkuar është Marcos Alonso, ndërkohë që Emerson Palmeri është zgjedhja e dytë. Një opsion është edhe serbi i Frankfurtit, Filip Kostic. Duke parë situatën e paqartë të Sanchez, një alternativë për sulmin është mëse e nevojshme, me Pinamotin, që mund të shërbejë si alternativë e Lukakut. Dzeko nuk mund të përjashtohet si pistë, por klubi zikaltër e sheh si problem moshën e boshnjakut. Në mesfushë ndërkohë kërkohet një futbollist që është i aftë të gjejë në vazhdimësi rrugën e rrjetës, Vidal nuk është i mjaftueshëm në ekipin e Contes. Trajneri italian nuk mund të pranojë që të ulë stekën në këtë moment, teksa është gjithmonë në kërkim të perfeksionit. /Rozalb Lika-Koha Jone/