SPECIALE/ 5 gjërat që mësuam nga java e parë e Kategorisë Superiore
Të mërkurën më në fund Superliga nisi edicioni i 82-të i Kategorisë Superiore, ku në fakt nuk do të mungonin edhe surprizat e shumta. Shumë skuadra treguan se janë shumë larg përgatitjeve për të treguar vlerat e tyre, ndoshta të justifikuar edhe më faktin se përgatitjet kanë qenë me një program jo të qartë se kur do të niste për shkak të bojkotit. Gjithsesi shumë prej nesh mund të biem dakord të paktën në 5 pikë.
Forca e Tiranës së Egbo
Kampionët në fuqi ja dolën që të mundnin rivalët e tyre, të supozuar edhe për këtë sezon, me një lehtësi të madhe. Në fundin e ndeshjes shifrat shënuan 2-0 kundër Kukësit, por fusha e lojës tregoi se mund të ishte një rezultat edhe më i thellë. Bardheblutë luajnë shumë mirë, krijojnë shanse të shumta shënimi, dhe u mbrojtën si ekip. Najdovski ashtu si në eliminatoret e Championsit tregoi se është një blerje e shkëlqyer, këtë herë duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës. Lojë shumë pozitive edhe e Muçit dhe Danso, që duket se kishin një jetë që luanin së bashku. Egbo meriton notën 10 për nisjen e shkëlqyer që i bëri kampionatit, edhe pse ndryshimet në skuadër nuk kanë munguar.
Kukësi një kantier ndërtimi si stadiumi i tyre
Skuadra verilindore ka bërë ndryshime të mëdha në skuadër duke bërë shumë largime, por edhe afrime. Taipi dhe Ibrahimi nuk mundën që të ishin vendimtar në sfidën e parë, duke treguar se u duhet ende kohë që të përshtaten me skuadrën. Trajneri Skënder Gega ka një punë të madhe për të bërë përpara në javë në vijim, pasi brenda pak javësh ka në dispozicion një skuadër totalisht të re. Strategu i njohur ka të gjithë të drejtën që të kërkojë kohë, që skuadra të arrijë nivelin e shpresuar. Për momentin janë larg Tiranës, por koha do të demonstrojë nëse goditjet në merkato kanë qenë të duhurat.
Partizani “qan” mungesën e merkatos
“Të Kuqtë” e nisën sezonin me një humbje 2-1 në transfertën ndaj Kastriotit. Skuadra e Ndreut me dëshirën e madhe dhe kualitetin e disa futbollistëve ja dolën që të merrnin tri pikë, duke përfituar edhe nga paqartësitë e Partizanit. Ilir Daja në fundin e ndeshje u justifikua me mungesën e merkatos, për të pasur alternativa. Lojtarët më të mirë që ka në dispozicion i hodhi në fushë, por këtë herë asgjë nuk shkoi sipas parashikimeve. Sezoni pritet i vështirë për kryeqytetasit që do të vuajnë bllokimin e merkatos.
Teuta dhe Laçi s’e përballojnë presionin
Të cilësuar si dy nga skuadrat që priteshin si ekipet që mund të luftonin edhe për titullin kampionë, dështuan që në start. Durrsakët vuajtën shumë përballë Skënderbeut duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1. Goli i shpejt i Hebajt u duk se do të ishte një nisje e mbarë, por shpresat do të veniteshin pas një gafe të Frashëri. Edhe Laçi gjithashtu nuk mundi të shkonte më shumë se një barazim ndaj Bylisit, edhe pse në fakt këtë sezon ka një skuadër me futbollistë ekspert për kampionatin.
Pak gola dhe pak spektakël
11 gola në 5 ndeshje, është një mesatare shumë e ulët golash, që tregon se skuadrat shqiptare vijojnë më të njëjtën skemë loje. Mungesa e një loje dhe kualiteti në fazën e avancuar ndikon jo pak në këtë statistikë. Sulmuesit e golit janë me pikatore këtë sezon në skuadrat e elitës në vendin tonë. /Rozalb Lika-Koha Jone/