SPECIALE/ 8 cilësitë që e bëjnë Ibrahimovic një sulmues perfekt

Zlatan Ibrahimovic është një nga futbollistët më të përfolur këtë sezon në Seria A. Sulmuesi suedez ka arritur që të shënojë plotë 14 gola në vetëm 11 ndeshje. Në total ka shënuar 16 gola në 17 ndeshje, shifra që të bëjnë të reflektosh për bomberin suedez, por cilat janë disa nga cilësitë e tij?

Koka – Goditjet e tij në ajër janë shpesh herë vendimtare, ndërkohë që në shumicën e rasteve arrin që t’i fitojë duelet me kundërshtarët falë një fiziku të frikshëm që ka. Edhe pse është 39 vjeç ka një formë shumë të mirë sportive që e lejon të jetë dominues ndaj kundërshtarëve brenda zonës.

Visioni i lojës – Në botë ka shumë sulmues që gjejnë shpesh herë rrugën e rrjetës, por krejt ndryshe nga suedezi, nuk janë shumë frytdhënës edhe për shokët e tij. Ibrahimovic, është shembulli, i lojtarit që di shumë mirë të nxjerrë sulmuesit e tjerë të goli. Edhe pse u largua disa vite më parë nga Barcelona për shkak se nuk i pëlqente shumë Messit, te Milani ai ka treguar se di të bashkojë një ekip të tërë.

Udhëheqës – Ibra është një futbollist shumë impulsiv, por edhe ambicioz. Te Milani edhe pse nuk ka pasur shumë yje në krahë, ai ka arritur që me të rinjtë të bashkojë një grup, ku ai shihet si lider, një shembull për t’u ndjekur nga kolegët e tij. Deri më tani, ka treguar se di ta bëjë mjaft mirë në fushë një rol të tillë.

Zemra – Në futbollin e sotëm të luash me zemër është një aspekt që të ndihmon të arrish në nivelet më të larta. Suedezi, veçanërisht te Milani në dy sezonet e fundit ka treguar se ka një personalitet dhe një dëshirë të madhe për të qenë ende në majat e futbollit botëror. Vitet për të janë vetëm një numër, teksa rinovimi është dhe më pranë.

Forma fizike – Në fillim te sezonit, Zlatan rezultoi pozitiv me koronavirus, teksa e kaloi pa shumë simptoma. Suedezi jo vetëm që u rikthye shpejt në fushë por la menjëherë shenjë në derbi, duke shënuar madje edhe dy gola. Më shumë se kaq nuk mund të pretendosh nga një futbollist me disa seanca të plota.

Potenca – Nëse e sheh në plan të parë të krijon imazhin e një lojtari monstruoz, i cili ka ditur që ta mbajë trupin në formën më të mirë. Pas aventurës te United dhe në Amerikë pak besonin se do të qëndronte në nivele të larta, por ai tregoi të kundërtën.

Paparashikueshmëria – Ashtu si Van Basten, Ibra ka një avantazh të madh nga kundërshtarët. Suedezi është i aftë që të shënojë nga çdo pozicion i mundshëm, me çdo mënyrë dhe me çdo pjesë të trupit. Nëse ju kujtohet ka shënuar edhe me roveshatë nga 35 metra.

Goditja – Me të majtën, të djathtën, me forcë, apo me teknikë. Nga Ibrahimovic mund të presësh diçka nga momenti në moment, ndaj dhe për ta mbuluar atë është shumë e vështirë. Forca që ka në këmbë e ndihmon që të jetë një kërcënim për portierët rivalë. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP