SPECIALE/ Barcelona do të shesë gjysmën e ekipit për të blerë Neymar dhe Lautaron

Barcelona ka pasur problem të shumta në stafin drejtues gjatë këtij sezoni, por problem të shumta ka edhe në lidhje me të ardhmen e shumë futbollistëve. Pasiguria ekonomike ka bërë që të ketë pikëpyetje të mëdha në lidhje me lëvizjet që do të bëhen në merkato.

Dy janë objektivat e mëdha janë Neymar dhe Lautaro martinez, por do të synohet edhe për një mbrojtës qendror, një krahu dhe një mesfushor. Gazeta “Marca” raporton se gjysma e skuadrës (me ngjyrë gri, si në grafikun më poshtë) mund të largohen.

Ivan Rakitic dhe Arturo Vidal janë dy emrat e parë që pritet të largohen, edhe për faktin që kanë edhe një vit të mbetur në kontratën e tyre. Ekziston mundësia që ata të përdoren në operacionet e merkatos. Rakitic kërkon një rikthim te Atletico Madrid, ndërkohë që Vidal kërkohet me ngulm prej kohësh nga Antonio Conte tek Interi.

Një tjetër mesfushor që është në dyshim është edhe Carles Alena, i cili do të rikthehet nga huazimi te Real Betis. Todibo është emri tjetër, ai është huazuar te Schalke që ka të drejtën e blerjes së tij për 25 milionë euro. Në repartin difensiv, do të synohet afrimi i një mbrojtësi në krahun e majtë, pasi Junior Firpo nuk ka bindur dhe pritet të largohet.

Nelson Semedo ka një ofertë rinovimi te Barcelona, por nuk përjashtohet mundësia që të përfshihet në ndonjë negociatë. Më ndryshe është situata e Samuel Umtiti, i cili duket se nuk ka më vend te ekipi blaugrana. Në sulm, Martin Braithwaite nuk shihet si një opsion që ofron garanci, ndërkohë që më i vështirë do të jetë largimi i Coutinhos dhe Dembele.

Bayerni nuk do të aktivizojë ofertën për blerjen e kartonit të brazilianit, ndërkohë që për francezin do të jetë e vështirë për të gjetur një ekip që të ofrojë mbi 100 milionë euro, teksa për të u investua 160 milionë euro.

Nga të rinjtë shkëlqimi i Ansu Fatit, mund të bëjë që Collado dhe Araju të bëjnë gati valixhet për të gjetur një tjetër ekip gjatë kësaj vere. Në këtë mënyrë Barcelona synon që të arkëtojë një shumë të madhe që mund të përdor në objektivat që ka në merkato. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP