SPECIALE/ Inter, City dhe PSG: 3 opsionet e largimit të Messit nga Barcelona
Lajmi se epoka e Messit te Barcelona është drejt fundit, ka vënë në lëvizje tri klube të mëdha europiane. Edhe pse jo në formën e dikurshme dhe 33 vjeç, ylli argjentinas tërheq vëmendjen e klubeve të mëdha, që nuk e kanë aspak të thjeshtë për ta rrëmbyer. Nëse Messi do të largohet, presidenti Bartomeu mund të bëjë të njëjtën gjë si Perez me Ronaldon në vitin 2018, të ulë çmimin e tij në merkato. “Pleshti” ka një klauzolë prej 700 milionë eurosh, një shifër e frikshme, të cilën nuk mund të paguajë asnjë nga 3 klubet e interesuar, apo dhe ndonjë kandidatë tjetër.
Inter
Skuadra italiane ëndërron nënshkrimin me numrin 10, teksa gazeta më e madhe sportive në Itali, “Gazzetta dello Sport” raporton se zikaltërit kanë përgatitur 260 milionë euro shpenzime për të (paga dhe transferimi). Pas takimit të së premtes mes Messit dhe Koeman, në mediat italiane janë rindezur zërat se mund të shohin bashkë në një kampionatin me Ronaldon e Juventusit. Mund të jetë një sfidë për argjentinasin, kalimi në Milano dhe të sfidojnë bardhezinjtë, teksa do të kishte një “El Clasico” në Derbin e Italisë. Babai i Messit e ka hedhur hapin e parë duke blerë një shtëpi shumë pranë zyrtare të zikaltërve.
Manchester City
City është nën diktatin e Pep Guardiolës, një trajner që me Messin ka kaluar momente fantastike. Skuadra angleze është një nga të paktat që i ka mundësitë financiare për ta përballuar pa problem afrimin e yllit të Barcelonës. Eliminimi dëshpërues në Champions League nga Lyon, si dhe i Barcelonës me turp nga Bayerni, mund të jetë një mundësi e mirë që t’i shohim sërish bashkë Messin dhe Guardiolën. Për më tepër do të ishte dhe një ribashkim mes shokëve të ngushtë, me Sergio Agueron.
Paris Saint-Germain
Skuadra franceze edhe pse kanë dy yje të mëdhenj si Neymar dhe Kylian Mbappe, mund t’ia lejojnë vetes edhe afrimin e Messit. Do të ishte një trinom magjik, teksa kujtojmë që nga viti 2017, që braziliani është shkëputur nga argjentinasi. Barcelona ka dështuar në të gjitha rastet për ta rikthyer Neymar, por ndërkohë ekipi francez mund të bëjë që ribashkimi të ndodhë në krahë të kundërt, në kullën “Eiffel”. /Rozalb Lika-Koha Jone/