SPECIALE/ Juventus mendon shkëmbimin me PSG, ja si është situata e Ronaldos

Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Juventusi dhe shenjat janë gjithnjë e më të qarta. Sulmuesi po kërkon një sfidë të re për pjesën e mbetur të karrierës së tij dhe kthimit në Madrid, sipas gazetës “AS” është një nga mendimet e tij. Sidoqoftë, nuk do të jetë e lehtë që ta shohim sërish me fanellën e bardhë. Ylli portugez, e di mjaft mirë këtë gjë, ndaj dhe ka qenë nervoz në sfidat e fundit. Momenti i krizës ekonomike dhe teknike të klubit torinez është i pamohueshëm, teksa lirimi nga detyrimi prej 87 milionë eurosh në sezon, që shkojnë 30 milionë për pagën dhe të tjerat për amortizimin e tij, do të lejojnë që të ndërtojnë një ekip më konkurrues. Nëse një skuadër do të vendosë në tavolinë 25 milionë euro, atëherë italianët mund ta lënë të lirë Ronaldon.

Deri më sot, asnjë ofertë nuk ka mbërritur, merkato është e ndalur edhe për shkak të krizës nga pandemia, teksa drejtori sportiv i Juventusit Paratici ka nisur të mendojë për opsione të tjera. Siç raporton gazeta iberike, një nga pistat e mundshme është ajo që e çon në Paris. Cristiano është një ëndërr e vjetër e Al-Khelaifit dhe italianët do të provojnë një tregti që do të kënaqte të gjithë: shkëmbimin e tij me Mauro Icardi dhe Moise Kean. Vetë Paratici pranoi se argjentinasi ka qenë një nga objektivat e tij për vite me radhë, teksa edhe në verën e kaluar, janë përpjekur që ta rrëmbejnë nga Interi. Për Kean, largimi te Evertoni është pranuar si një gabim, ndaj dhe kërkohet rikthimi i tij në Torino.

PSG tashmë po konsideronte mbajtjen e sulmuesit, të përfaqësuar nga Mino Raiola. Gjithsesi ekipi bardhezi do të provojë deri në fund për ta marrë së bashku me Donnarumma-n, pasi kanë të njëjtin agjent, Mino Raiola. Portierit i përfundon kontratën më 30 qershor dhe do të mbërrinte një afrim i lirë, nëse nuk do të rinovojë deri në fund kontratën me Milanin. Do të ishte një revolucion i vogël te Juventusi, ashtu si shumë vite më parë, kur largonin Zidane te Reali dhe afronin emra si Buffon dhe Thuram.

Bardhezinjtë këtë sezon janë përkeqësuar dhe kjo është diçka që, sipas “La Repubblica”, ish-trajneri Allegri e kishte parashikuar para se të largohej. “Hiqni qafe Ronaldon, ai po bllokon rritjen e klubit”, u raportua t’i ketë thënë presidentit Agnelli dy vjet më parë. Tani të gjithë e kanë të qartë se ndarja do të ishte më e mira, por nuk do të jetë një zgjidhje e lehtë. Reali ende nuk bën një lëvizje dhe shkëmbimi është një ide që do të diskutohet në javët e ardhshme. Cristiano dhe Juventus, tani për tani, duhet të vazhdojnë së bashku edhe një vit. Ku i dihet, ndoshta dhe fund të lumtur. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

 

SHKARKO APP