SPECIALE/ Kush është Josef Bican? Futbollisti i “panjohur” për të cilin thuhet se shënoi 5000 gola

A e njihni Josef Bican? Nëse e keni parë duke luajtur me siguri që do e keni kaluar moshën 100 vjeç, ose jeni fare pranë. Nëse jo, mbase mund ta keni hasur emrin e tij në librat e historisë së futbollit. Ai është golashënuesi më i mirë me 805 gola të shënuar në karrierën e tij, që zgjati nga viti 1931 deri më 1955. Pavarësisht nga kjo, emri i tij mbetet shumë i panjohur.

Për të gjetur të dhëna për të është shumë e vështirë, teksa mu desh të hulumtoja në disa faqe të ndryshime, ndërkohë që në Youtube është thuajse e pamundur për të gjetur pamje të tij apo edhe të karrierës së tij. Duke u bazuar në historinë e publikuar nga FIFA, mësojmë se ai lindi më 25 shtator 1913 në Austri, ku edhe do të luante me ta në Botërorin e vitit 1934, para se të bashkohej më vonë me Çekosllovakinë.

Babai i Josef, Frantisek, ishte futbollist dhe luante për Hertha-n në Vjenë. Ai u mobilizua për të luftuar në Luftën e Parë Botërore, nga e cila u kthye i padëmtuar, por më pas do të mbetej i plagosur … në një ndeshje futbolli! Ai pësoi një dëmtim në veshkë, që do t’i sillte më vonë vdekjen. Josef ishte vetëm 8 vjeç kur i ati u nda nga jeta, duke e lënë në një varfëri të skajshme. Bican filloi të luante futboll pa këpucë, teksa arriti që të tregonte vlerat e tij të jashtëzakonshme edhe zbathur. Pas trajnimit në klubin ku luante babi i tij, e filloi karrierën te Rapidi i Vienës në vitin 1931.

Në karrierën e tij shënoi 805 gola zyrtarë (sipas FIFA-s) në 530 ndeshje, me një mesatare prej 1.52 për ndeshje. Nuk janë të pakët ata që besojnë se ai ka shënuar rreth 5000 gola në karrierën e tij, teksa i bie të ketë realizuar 185 gola për çdo sezon. Gjithsesi mbetet një shifër e pavërtetuar, dhe vetëm një hipotezë. Me Austrinë do të merrte pjesë ne Kupën e Botës 1934, siç edhe evidentuam edhe më lart, teksa la shenjën e tij me 14 gola në 19 ndeshje për kombëtaren austriake. Bican ishte i famshëm për vrapimin e 100 metrave, pasi e bënte vetëm për 10,8 sekonda, domethënë vetëm pesë të dhjetat e sekondës mbi rekordin botëror të kohës.

Jose u transferua te Slavia në Pragë, në vitin 1937. Atje ai krijoi një romancë të vërtetë me të gjithë kryeqytetin Çekosllovak, ku dhe luajti për 11 vjet më pas nisi edhe karrierën si trajner. Çekosllovakia u bë shtëpia e tij e re. Luajti 14 ndeshje nga viti 1938 deri më 1949, kur do të shënonte 12 gola. Fatkeqësisht, ai nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në Kupën e Botës 1938 për shkak të një gabimi administrativ. Pa të, Çekosllovakia arriti në çerekfinale. Rregullorja e FIFA-s në atë kohë i lejonte futbollistët që të luanin për kombëtare të ndryshme. Ai ndërroi jetë në Pragë më 12 dhjetor 2001. Ngjashmëria fizike me Ronaldon nuk mungon, teksa portugezit i mbetet që të arrijë shifrën e 805 golave të Biscan, futbollistit të harruar, për të cilin kemi shumë pak informacione. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP