SPECIALE/ Më shumë se 30 futbollistë do largohen nga Reali dhe Barcelona në verë

Gjatë kësaj vere do të ketë shumë largime dhe afrime nga Real Madrid dhe Barcelona në merkato. Mes futbollistëve aktual, rikthimit të huazimeve dhe blerjeve të reja, pritet që të ketë deri në 30 largime nga dy skuadrat më të mira të Spanjës.

Zinedine Zidane ka shumë futbollistë në ekipin e parë, 26, nëse do të llogarisim edhe afrimin e ri Reinier Jesus, teksa numri i tyre mund të rritet deri në fund të sezonit. 9 futbollistë do të rikthehen nga huazimet në “Santiago Bernabeo”, ndërkohë që atyre u shtohen edhe të rinjtë: Javi Sanchez, Alberto Soro dhe Jorge de Frutos.

Achraf Hakimi është një nga lojtarët, i cili do të rikthehet te madrilenët pas huazimit te Dortmundi, teksa potenciali i tij nuk diskutohet, por vendi i titullarit nuk do të jetë i garantuar. Dani Carvajal duket i pazëvendësueshëm në krahun e djathtë, ndërkohë që në të majtën Mendy dhe Marcelo luftojnë për një vend titullari. Në këtë mënyrë Hakimi duket se duhet të gjejë një destinacion të ri.  E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Ceballos, i cili ka bindur Zidane, ndërkohë që Reguilon kërkon që të qëndrojë te Sevilla edhe për një tjetër sezon. Nuk ka vend në ekipin e parë as për tri futbollistë të tjerë: Jesus Vallejo, Takefusa Kubo dhe Borja Mayoral.

Odriozola gjithashtu mund të jetë në listën e largimeve, ndërkohë që Oscar Rodriguez pa shkëlqimit te Leganes do të rikthehet, por sërish me valixhet gati për të gjetur një destinacion të ri. James Rodriguez nuk ka asnjë shans për të mbetur edhe sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Gareth Bale ka bërë një performancë zhgënjyese dhe me shumë mundësi mund të largohet në Premier League. Brahim Diaz dhe Mariano Diaz nuk kanë pasur shumë hapësira dhe të y duhet të gjejnë një destinacion të ri. Për Marcelon ka interesim nga Juventusi, ndërkohë që Lucas Vazquez është në vitin e fundit të kontratës.

Barcelona ka 19 futbollistë në ekipin e parë, ndërkohë që ka edhe të rinjtë Ansu Fati, Riqui Puig, Inaki Pena dhe Ronald Araujo. Pavarësisht se nuk ka një grup shumë të tejmbushur, lista e largimeve edhe në klubin katalanas do të jetë e madhe. Marc-Andre ter Stegen, Gerard Pique, Jordi Alba, Sergio Busquets, Frenkie de Jong, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Antoine Griezmann janë futbollistët e vetëm të paprekur që cilësohet nga trajneri Setien.

Sa i përket largimeve lista është e gjatë dhe fillon me Neto dhe Sergi Roberton, gjithashtu ky pritet të jetë sezoni i fundit edhe për Samuel Umtiti, Junior Firpo, Ivan Rakitic, Arturo Vidal dhe afrimin e janarit Martin Braithwaite.

Dyshimet janë të mëdha për Ousmane Dembele, i cili nuk është se ka bindur shumë këtë sezon. Coutinho ndërkohë do të rikthehet nga huazimi, por vështirë se do të jetë në planet e blaugranëve për sezonin e ardhshëm. Moussa Wague, Jean-Clair Todibo, Oriol Busquets, Carles Alena dhe Rafinha nuk kanë asnjë shans për të qëndruar në ekipin katalanas. Barcelona do të blerje edhe lojtarin e Betis, Emerson në verë, por do të tentojë që ta shesë më pas për një çmim më të lart. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP