SPECIALE/ Nga Rivera te Kaka, Modric bëhet “Topi i Artë” i 13-të që luan për Milanin
Luka Modric ka nisur zyrtarisht aventurën e tij me Milanin. Mesfushori kroat, fitues i Topit të Artë në vitin 2018 dhe legjendë e Real Madridit, është prezantuar përpara tifozëve kuqezi me një mesazh të qartë: “Kam ardhur për të fituar”.
Ai është gati të veshë fanellën e Milanit dhe të bëhet lojtari i 13-të në historinë e klubit që ka fituar këtë çmim prestigjioz. Modric do të dalë sot në një konferencë për shtyp në orën 17:00 dhe më pas, në orën 18:30, do të takohet me tifozët për fotografi dhe autografe.
Topat e Artë në historinë e Milanit:
Gianni Rivera – 1969
I pari në histori për Milanin, Rivera fitoi çmimin në një vit të rëndësishëm për futbollin italian. Ai udhëhoqi Milanin drejt triumfit në Kupën e Kampioneve kundër Ajax-it me rezultatin 4-1.

Paolo Rossi – 1982
Heroi i Botërorit të 1982-shit, fitues i Topit të Artë për Italinë. Ai luajti me Milanin në sezonin 1985/86, pa lënë shumë gjurmë.
Ruud Gullit – 1987
Pjesë e revolucionit të Berlusconit, Gullit erdhi nga PSV dhe menjëherë u bë simbol i rilindjes kuqezi.
Marco Van Basten – 1988, 1989, 1992
Është një nga sulmuesit më të mëdhenj në histori. Ai fitoi tri herë Topin e Artë dhe ishte lider i Milanit në epokën e artë të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të ’90-ave.

Jean-Pierre Papin – 1991
Fitues i Topit të Artë me Marseille, iu bashkua Milanit më pas, ku fitoi Kupën e Kampioneve në 1994.
Roberto Baggio – 1993
Pas suksesit me Juventusin, kaloi te Milani ku fitoi një kampionat në 1996 dhe shënoi 19 gola në dy sezone.
George Weah – 1995
Sulmuesi liberian ishte i pari afrikan që fitoi Topin e Artë. Me Milanin fitoi dy kampionate dhe mbetet një nga figurat më të dashura nga tifozët.
Rivaldo – 1999
I lavdëruar me Barcelonën, por aventura e tij me Milanin nuk shkoi si pritej. Megjithatë, ishte pjesë e skuadrës fituese të Champions-it në 2003.
Andriy Shevchenko – 2004
Hero i shumë ndeshjeve të mëdha, fitues i Champions-it në 2003 dhe Topit të Artë në 2004, pas një sezoni fantastik.
Ronaldo “Fenomeni” – 1997, 2002
Edhe pse më i lidhur me Interin e Realin, Ronaldo kaloi edhe te Milani ku shënoi në një derbi në vitin 2007.

Ronaldinho – 2005
Magjistari brazilian kaloi në Milano në vitin 2008. Nuk arriti të shndërrohej në lider, por la gjurmët e tij.
Ricardo Kaká – 2007
I fundit që kishte fituar Topin e Artë si lojtar i Milanit para Modric. Sezoni i 2007-ës ishte magjik për brazilianin, që udhëhoqi Milanin drejt Champions-it.
Luka Modric – 2018
Me ardhjen e Modric, Milani rikthehet në listën e klubeve me emra të mëdhenj. Kroati, që e ka ndjekur Milanin që fëmijë, është gati të bëhet pjesë e historisë. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

