SPECIALE/ Sylvinho, arkitekti i palodhur i rrugëtimit perfekt drejt Gjermani 2024

Nga Rozalb Lika

Sylvio Mendes Campos Júnior është emri i plotë, i trajnerit më të mirë që ka drejtuar ndonjëherë Kombëtaren tonë. Strategu brazilian po bën një punë të mbresëlënëse, duke na udhëhequr drejt ëndrrës për t’u kualifikuar për herë të dytë në fazën finale të një Europiani, që këtë herë do të luhet në Gjermani 2024. Shqipëria udhëheq grupin, me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë, më mirë se kaq nuk mund të bëhej.

“Ti heqim kapelen” dhe të heshtësh, vetëm kështu mund të shprehesh kur ke përballë Sylvinhon. Një trajner i mbërritur në fillim të vitit në vendin tonë me shumë pak eksperiencë, por sërish nuk u dorëzua, vendosi që të pranonte “bastin” për të drejtuar një Kombëtare të cilësuar “të vogël” si e jona. Trajner që di të flasë shumë gjuhë, me aftësi të shkëlqyera për të dëgjuar këdo dhe me një intuitë për t’u pasur zili.

Në prezantimin e bërë ai nuk shprehu asnjëherë fjalën “kualifikim”, por do të “punojmë për t’u përmirësuar”. Koha në dispozicion ishte e pakët për të njohur skuadrën, bëri një punë të mirë që në debutim, ku pësuam një disfatë minimale 1-0 në Poloni. Vendosi të jetonte në Shqipëri për të njohur më mirë shqiptarët, futbollin në vendin tonë, por dhe për të ndjekur me shumë kujdes legjionarët që luajnë në disa kampionate në Europë si dhe për të mësuar shqip.

“Ka një brez të artë lojtarësh”, një fjali shabllon e thënë nga shumë specialistë, por dhe Reja aty i kishte këta lojtarë, por nuk i shfrytëzoi në mënyrën e duhur. Intuita e brazilianit dhe guximi ka bërë që të dalin në pah lojtar si Jasir Asani, që tashmë e krahasojnë me Arjen Robben për stilin e veçantë të goditjeve nga distanca. I dha një tjetër dimension mbrojtjes, me katër lojtarë, ku ka shfaqur një besim të madh te Mitaj, por dhe te dyshja e mbrojtjes me Gjimshitin, Ismajlin dhe Ajetin që janë si “mur” para portierit.

Për të kaluar te mesfusha, shansi i është dhënë menjëherë Asllanit, lojtar i Interit, që me Rejën i kishte minutat me pikatore. Ramadani e fitoi ndoshta vetë formacionin me paraqitjet e mira në Seria A, ndërkohë që Bajrami duket lojtarë i një niveli shumë të lart. Në sulm besimi nuk ka munguar për Cikalleshin, futbollist që sakrifikon shumë dhe në fazën mbrojtëse. Uzuni dhe Seferi ndërkohë kanë qenë dy zgjedhjet në krahun e majtë, ku nga të dy ka marrë atë që i ka vendosur si detyrë.

Kushdo që i sheh ndeshjet nga stadiumi, e kupton energjinë e tij të pafundme për të dhënë instruksione për lojtarët në çdo prekje, ndoshta si askush tjetër për momentin në Europë, pak a shumë i ngjashëm me Conten. Në fund ka dhe intuitën dhe aftësinë për të gjetur zëvendësuesit e duhur në momentin e duhur. Muja, Daku kanë qenë zbulimet e tij dhe ka marrë menjëherë përgjigjet e duhura. Sylvinho na ka sjell për momentin Brazilin e vogël në Europë, të shpresojmë të vijojë me këto ritme dhe të marrë shumë shpejtë shpërblimin: Një kontratë të re, para se … “Seleçao” ti bëjë ndonjë telefonatë! /Koha Jonë/

SHKARKO APP