SPECIALE/ Verona i rrit çmimin Kumbullës, gjysma e Europës “e çmendur” pas tij
Është vetëm 10 vjeç dhe ka kaluar kuotën e 1000 minutave në këtë sezon (1106 më saktësisht), duke shënuar një gol dhe treguar shumë kualitet. Të gjithë skuadrat e mëdha italiane e kanë vënë re talentin e tij që në ndeshjet e para. Po flasim për Marash Kumbulla-n, super talentin shqiptar që ndiqet nga gjysma e skuadrave italiane. Interi për momentin duket më e avantazhuar nga skuadrat e tjera sipas “Gazzetta dello Sport”.
Në takimin e fundit që është organizuar mes drejtuesve të dy klubeve gjatë të martës është akordi për kalimin e talentit shqiptar në Milano gjatë verës së këtij viti mbi bazën e 20 milionë eurove. Për të arritur një marrëveshje për Kumbulla-n, Interi ka pranuar t’i japë në huazim që në merkaton e janarit, Veronës Federico Dimarcon ndërkohë që mund të pranojë të huazojë edhe për sezonin e ardhshëm talentit tjetër Eddy Salcedo.
Verona gjithsesi sipas mediave italiane nuk do të dorëzohet lehtë duke lënë gjithçka të hapur për në verë. Presidenti Maurizio Setti kërkon të përfitojë nga interesimi i madh i shumë klubeve duke e ngritur çmimin në 25 milionë euro. Një përfitim i jashtëzakonshëm për klubin e vogël, pasi shkodrani është një produkt i akademisë së kësaj skuadre. Për t’u kujdesur për këtë operacion agjenti Gianni Vitali, po punon së bashku me Oscar Damianin.
Bëhet fjalë për një lëvizje të komplikuar pasi në orët e fundit mësohet se interesimi i Napolit dhe i Lazios është shtuar ndjeshëm. Të dyja klubet nuk kërkojnë që të munden nga Interi duke u shprehur të gatshëm për të ofruar shifrën e 20 milionë eurove. Kumbulla mund të cilësohet si një fenomen në mbrojtje, duke qenë se për të luftojnë edhe klubet angleze si Manchester United, Chelsea dhe Everton, pa harruar as Leipzig dhe Dortmund në Gjermani. Një gjë për momentin duket e sigurt, Kumbulla do të futet në historinë e futbollist shqiptar si futbollisti me transferimin më të shtrenjtë. /Rozalb Lika-Koha Jone/