Spektakël në “San Siro”, Milani mund Udinesen në “frymën e fundit” me Rebic (VIDEO)
Milani ka arritur që të marrë një fitore në sekondat e fundit ndaj Udineses, duke triumfuar 3-2, falë dy golave të shënuar nga Ante Rebic.
Skuadra e Piolit e nisi në mënyrën më të keqe ndeshjen, duke pësuar gol që në minutën e 6-të. Donnarumma bën një dalje shumë të gabuar duke i dhënë mundësinë Larsen që të shënojë me portën boshatisur.
Kuqezinjtë do të reagonin vetëm në pjesën e dytë duke gjetur fillimisht barazimin me Rebic në minutën e 48-të. Donnarumma bëri disa ndërhyrje shpëtimtare duke i dhënë mundësinë ekipit të tij që të kalonte në avantazh në minutën e 71-të me Theo Hernandez që konfirmohet si golashënues edhe pse është mbrojtës.
Udienze gjithsesi nuk dorëzohet dhe shënon një gol të bukur me kokë me Lasagnën, duke pllakosur heshtjen në “San Siro”. Milani provoi deri në fund duke gjetur sërish avantazhin dhe fitoren me Rebic. Me këtë 3-pikësh kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 28 pikëve dhe tani rihapin shpresat për një vend në kupat e Europës. /R.Lika-Koha Jone/