“Spiunuam shqiptarët në mes të Tiranës”, gazetari serb sheh fshehtas stërvitjen e Kombëtares sonë
Futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë kanë zhvilluar sot një seancë stërvitore të lehtë në kryeqytet, në prag të përballjes së rëndësishme që do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Air Albania”.
Stërvitja është mbajtur në një nga fushat brenda kompleksit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ka qenë e mbyllur për publikun dhe mediat. Megjithatë, gazetari i Kurir nga Serbia, ka mundur të ndjekë një pjesë të vogël të seancës dhe të sigurojë pamje ekskluzive nga përgatitjet e kuqezinjve.
Ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja aktive e trajnerit Silvinjo, i cili jo vetëm që dha udhëzime taktike, por edhe mori pjesë vetë në ushtrimet me topin, duke sjellë ndër mend ditët e tij të lavdishme si futbollist.
Gjatë gjithë kohës ai dëgjohej të motivonte lojtarët me thirrjet “Bravo!”, çka lë të kuptohet se është i kënaqur me angazhimin dhe formën e skuadrës.
Stërvitja e fundit para ndeshjes ka shërbyer për të konsoliduar formacionin dhe për të testuar disa lëvizje taktike, ndërsa atmosfera në grup duket pozitive dhe e motivuar. /Rozalb Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

