Starton FSHF Cup 9×9, Libohova: Sektori amator jetik për masivizimin e futbollit!

Ka filluar mbrëmjen e djeshme FSHF Cup, kompeticioni më i ri që organizon sektori i futbollit amator në Federatën e Futbollit. Ky kompeticion për skuadrat që garojnë me nga 9 lojtarë, përmbledh 32 skuadra të cilat do të përballen ndërmjet tyre me sistem eliminimi direkt.

Në ceremoninë hapëse të kësaj Kupe që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ka qenë i pranishëm edhe Zëvendës Presidenti i FSHF, Edvin Libohova, i cili theksoi rëndësinë e vëmendjen që institucioni i futbollit në Shqipëri i jep sektorit amator, i cili ka një rol jetik për masivizimin e sportit më të dashur për shqiptarët.

“Sot fillon një tjetër veprimtari e futbollit amator, FSHF Cup, një kompeticion që luan 9 kundër 9. Ky kompeticion zhvillohet për herë të parë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në të marrin pjesë 32 skuadra, kryesisht nga Tirana por dhe nga qytete të tjera.

Kjo kupë vjen si vazhdimësi e nismave të Federatës për të mbështetur futbollin amator, duke parë që tani ka filluar kampionati 5×5. Po zhvillohen me sukses kampionatet e moshave, kampionatet e femrave dhe ky është aktiviteti më i ri që i shtohet gjithë kurorës së veprimtarive të FSHF-së, në kuadër të masivizimit të futbollit me qëllim përfshirjen sa më shumë të brezit të ri por pa përjashtuar këtu edhe ato më në moshë.

Kjo garë do të shtrihet në dy muaj. Duhet të theksoj se kërkesat kanë qenë të shumta por mundësinë kanë qenë për 32 skuadra. Duke parë interesimin sigurisht që do të ketë edhe aktivitete të tjera të këtij lloji. I uroj suksese kompeticionit dhe skuadrave që janë sot këtu, le të fitojë më i miri dhe le të jetë ky sinjali i parë i veprimtarive të tjera që i shtohen futbollit amator”.

 

SHKARKO APP