Statistikat/ Tirana me sulmin më të mirë, Vllaznia me mbrojtjen më të “hekurt”
Tirana udhëheq renditjen e këtij sezoni në Kategorinë Superiore duke qenë gjithmonë e më pranë titullit kampion. Bardheblutë kanë krijuar një distancë sigurie me Kukësin, në 9 pikë, teksa mund të krenohen edhe me sulmin më të mirë.
Ekipi i Egbo ka shënuar 51 gola këtë sezon, me një mesatare prej 1.8 gola për ndeshje. Në vendin e dytë në këtë aspekt është sërish Kukësi, me 10 gola më pak se Tirana.
Gjithsesi bardheblutë nuk kanë mbrojtjen më të mirë këtë sezon. Në këtë statistikë udhëheq Vllaznia, me vetëm 22 gola të pësuar në 27 ndeshje. Më afër tyre qëndron Kukësi me vetëm një gol më shumë të pësuar deri më tani.
Flamurtari, vendi i fundit në këtë sezon, ka shënuar më pak se të gjithë, vetëm 18 gola, ndërkohë që ka pësuar plotë 53. Askush nuk ka bërë më keq se skuadra vlonjate në këto 27 javë. /R.Lika-Koha Jone/