Strakosha dëmtohet që në sfidën e parë, reagon Lazio
Lazio humbet Thomas Strakoshën për një dëmtim muskulor. Nuk është periudhë me fat për portierin e kombëtares së Shqipërisë, mes Covid, rivalitetit me Reinan e ku shtohet tani edhe një dëmtim i ri.
Pikërisht në ndeshjen e parë ku Strakosha u kthye si titullar, në fitoren 2-1 me Fiorentinën, shqiptari ka pësuar edhe dëmtimin, sipas asaj që bën të ditur vetë klubi bardhekaltër.
“Po ju bëjmë të ditur se futbollisti Thomas Strakosha në takimin me Fiorentinën ka pësuar një traumë që përfshin rectus femoris të kofshës së djathtë. Portieri i është nënshtruar menjëherë kontrolleve mjekësore e kurave të duhura e do të monitorohet në ditët e ardhshme për të përcaktuar një prognozë përfundimtare”, shkruhet në deklaratën e Lazios.