Strakosha: Japim gjithçka për të fituar dhe vijuar ëndrrën drejt Kupës së Botës!

Vetëm tre ditë para sfidës së shumëpritur ndaj Serbisë, portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, ka dalë në konferencë për shtyp për të ndarë mendimet e tij rreth kësaj përballjeje të rëndësishme.

Gardiani kuqezi theksoi se pavarësisht vështirësisë së ndeshjes, skuadra është e përgatitur dhe e fokusuar maksimalisht për të dalë me rezultat pozitiv. Ai shprehu bindjen se Shqipëria ka cilësitë e duhura për t’u përballur denjësisht me Serbinë dhe për të vazhduar rrugëtimin drejt një kualifikimi historik.

“Nuk e shoh veten në qendër, ne jemi një ekip dhe duhet të punojmë si grup. Serbia ka një ekip të mirë, por edhe ne kemi kualitet dhe jemi gati. Kemi punuar fort, djemtë janë të motivuar dhe të emocionuar si për çdo ndeshje tjetër. E dimë që për tifozët kjo sfidë ka një peshë të veçantë, por për ne vlen për 3 pikë dhe do bëjmë gjithçka për t’i bërë të lumtur”, deklaroi Strakosha.

Swiss Digital Desktop Reklama

Portieri shtoi se fokusi kryesor është te paraqitja në fushë dhe jo aspekti emocional i përballjes. Ai kërkon që Shqipëria të tregojë në fushë se e meriton një vend në Kupën e Botës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Duhet të tregojmë që e meritojmë të shkojmë në Botëror. Ndeshja e së shtunës është më e rëndësishmja për momentin, sepse është hapi i radhës në ëndrrën tonë. Jemi përgatitur mirë, ekipi është pozitiv dhe kemi besim se mund t’ia dalim”, shtoi ai.

I pyetur për mënyrën se si e kanë analizuar kundërshtarin, Strakosha tha se ekipi është përqendruar te loja kolektive dhe jo te individët.

“Serbia është shumë e fortë në goditjet standarde, por edhe ne kemi treguar se dimë të mbrohemi mirë. E kemi përgatitur ndeshjen si skuadër, jo në mënyrë individuale. Respektojmë kundërshtarin, por jemi të fokusuar te loja jonë.”

Në fund, Strakosha falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe tha se nuk e konsideron këtë ndeshje si vendimtare për renditjen, por si një sfidë të rëndësishme ku Shqipëria do të kërkojë maksimumin.

“Do të jetë një ndeshje e fortë, por jo vendimtare për vendin e dytë ose të tretë. Ne do të japim gjithçka, por gjithçka nuk përfundon të shtunën. Do të luftojmë për çdo pikë deri në fund.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?