Strakosha kërkon hapësira, do të ketë shanset e fundit te Lazio
Thomas Strakosha është rikthyer në dispozicion të trajnerit Inzaghi te Lazio, por ende nuk ka pasur hapësira. Dëmtimi në gjurin e djathtë dhe infektimi me Covid, ka bërë që portieri i Kombëtares sonë të qëndrojë për një periudhë kohë jashtë fushave.
Tashmë ai kërkon hapësira, teksa diçka të tillë e ka konfirmuar edhe me një postim në rrjetet sociale: “Kurrë mos u dorëzo”. Ky është sezoni më i komplikuar për të me fanellën bardhekaltër. Me ardhjen e Reina-s, Strakosha humbi vendin e titullarit. Gardiani spanjoll është më i preferuar nga Inzaghi për të luajtur nga minuta e parë për shkak të eksperiencës dhe aftësive më të mira me topin në këmbë.
E ardhmja – Pas rikthimit Srakosha ka nisur të punojë për të qenë në fushë sa më shpejtë. Rikthimi në fushë mund të ndodhë kundër Juventusit, Crotones ose ndaj Bayernit. Mediat italiane shkruajnë se Lazio synon të ngrejë vlerat e portierit, i cili ka një kontratë deri në vitin 2022, teksa ekziston edhe vullneti për ta larguar. Shumë do të varet nga vetë duart e Strakoshës dhe pritjet që do të bëjë në shanset që do i jepen. /R.Lika-Koha Jone/