Strakosha për FIFA-n: Kualifikimi në Botëror do t’i krenonte shqiptarët në mbarë botën
Shqipëria mbetet e vetmja skuadër në “Path B” të “play-off”-eve të UEFA-s që nuk ka marrë kurrë pjesë në një Kupë Bote, por ëndrra për ta thyer këtë tabu është më e gjallë se kurrë. Për të arritur këtë objektiv historik, ekipi i drejtuar nga Sylvinho duhet të kalojë fillimisht Polonia në gjysmëfinale dhe më pas të triumfojë ndaj fituesit të çiftit mes Suedia dhe Ukraina.
Në një intervistë për FIFA, portieri kuqezi Thomas Strakosha theksoi se një kualifikim në Botërorin 2026 do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm për gjithë kombin shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.
I lindur në Athinë dhe i rritur futbollistikisht në Itali, Strakosha ka përjetuar emocione të mëdha në karrierë, duke luajtur në nivele të larta si me Lazio në UEFA Champions League, ashtu edhe me Brentford në Premier League. Megjithatë, ai pranon se asgjë nuk krahasohet me emocionin e përfaqësimit të Shqipërisë në një turne madhor si UEFA Euro 2024.
Portieri aktual i AEK të Athinës e sheh si një motivim të madh mundësinë për të udhëhequr Shqipërinë drejt një arritjeje historike. Ai madje ka imagjinuar edhe një skenar të mundshëm në fazën finale, ku kuqezinjtë mund të përballen me Tunizia, Holanda dhe Japonia në Grupin F.
Kjo gjysmëfinale kundër Polonisë mund të jetë hapi i parë drejt realizimit të ëndrrës suaj. Çfarë po mendoni tani?
Të them të drejtën, isha shumë i entuziazmuar edhe para afrimit të kësaj ndeshjeje. Për ne nuk është thjesht një gjysmëfinale, është si finale. Është një ndeshje shumë e madhe, pasi kemi mundësinë të bëjmë histori për Shqipërinë dhe për gjithë kombin. Të luajturit për vendin tonë në një Kupë Bote, sidomos në Amerikë, ku jetojnë kaq shumë shqiptarë, do të ishte ëndërr jo vetëm për mua, por për të gjithë të përfshirët.
Mes Polonisë, Suedisë dhe Ukrainës, ju jeni e vetmja skuadër në rrugën tuaj që nuk ka marrë pjesë kurrë në një Kupë Bote. A do ta bëjë më të lehtë nga ana mendore fakti që hyni si “outsider”?
Të jem i sinqertë, po, ne jemi “outsider” dhe historia e vërteton këtë. Sidoqoftë, besojmë se kemi atë që duhet. Nuk është rastësi që kemi arritur deri këtu. E meritojmë të jemi këtu. Jemi plotësisht të vetëdijshëm që Polonia, në krahasim me ne, renditet më lart, por pritet të jetë një ndeshje konkurruese. Për ne është si finale, ashtu siç është edhe për ta.
Polonia ka një sulmues cilësor si Robert Lewandowski dhe një skuadër plot talent. Si planifikoni t’ia prishni planet?
Janë një nga skuadrat më të organizuara që kam përballur vitet e fundit. Kanë lojtarë të nivelit të lartë, Lewandowski është emri i parë që më vjen në mendje, si edhe Piotr Zielinski, për të cilin kam shumë vlerësim. Sipas mendimit tim, polakët janë një nga kombëtaret më të mira të nivelit të dytë, jo shumë larg skuadrave të mëdha si Franca, Italia dhe Spanja. Ne jemi me fat që kemi një sulmues me potencial të madh si Armando Broja. Nëse arrin të luajë rregullisht, rreth 30-40 ndeshje në sezon, ai mund të kalojë në një nivel tjetër. Na duhen vërtet lojtarë të këtij kalibri, që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.
Fushata juaj në EURO 2024 tregoi se mund të përballeni me këdo. Çfarë mësuat nga ajo eksperiencë?
Isha shumë i lumtur që pata mundësinë të luaja kundër skuadrave kaq të forta; doja të shihja ku qëndronim. Mendonim se do të ishim inferiorë, por në fund dhamë aq sa morëm. Mund të kishim marrë një fitore kundër Kroacisë. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, ndër më emocionueset që kam përjetuar në karrierë.
Sylvinho është në krye të Shqipërisë që nga viti 2023. Si do t’i përmblidhnit pikat e tij të forta dhe në cilat drejtime është përmirësuar skuadra?
Ai na ka mësuar të besojmë më shumë te vetja, duke qëndruar njëkohësisht me këmbë në tokë. E dimë që mund të kishim bërë më mirë në disa ndeshje, por ai na ka dhënë shumë besim dhe na ka motivuar përpara kualifikueseve të Botërorit. Kemi bërë hapa të mëdhenj që kur ai është në krye. Ka sjellë stabilitet të vërtetë në skuadër. Nuk kemi shumë kohë së bashku gjatë vitit në kombëtare, ndaj është thelbësore të kemi një bazë të fortë. Sot jemi një grup më i bashkuar dhe e dimë çfarë jemi në gjendje të bëjmë.
Si shumë shokë të skuadrës, edhe ju keni lindur jashtë vendit. Çfarë do të thotë për ju të përfaqësoni vendin tuaj?
Është një burim i madh krenarie. Jemi rritur me respekt dhe dashuri për rrënjët dhe trashëgiminë tonë. Edhe nëse ke lindur ose je rritur jashtë, lidhja mbetet e fortë. Është një nder i madh të luash për Shqipërinë. Nuk kam pasur asnjëherë dyshime, edhe pse mund të luaja për Greqinë. Prindërit e mi më kanë mësuar gjithmonë t’i respektoj të gjithë, por edhe të kem një dashuri të thellë për vendin tim. I jam mirënjohës Shqipërisë për gjithçka që më ka dhënë dhe nuk më ka shkuar kurrë në mendje të luaj për një tjetër kombëtare.
A mund t’i imagjinoni skenat në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë nëse kualifikoheni në Kupën e Botës 2026?
Nuk mund ta imagjinoj dot fare se si do të ishte. Europiani ishte i jashtëzakonshëm, por një Kupë Bote, sidomos në Amerikën e Veriut, do të ishte diçka tjetër. Do të ishte një festë për shqiptarët në të gjithë botën. Nuk dua ta mendoj ende, as fazën e grupeve. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja kundër Polonisë.
KOHA JONË SONDAZH

