Sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë, gjysmëfinalja Barcelona-Inter premton spektakël
Gjithçka është gati në “Stadio Olimpico Lluís Companys” për përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Interit. Në lojë është një vend në finalen e madhe dhe pritet një sfidë emocionuese mes dy ekipeve me identitete të ndryshme: katalanasit me sulmin më të mirë të turneut (37 gola) dhe zikaltërit me mbrojtjen më të fortë (vetëm 8 gola të pësuar).
Interi vjen në këtë sfidë pas një jave të vështirë. Eliminimi nga Kupa e Italisë dhe humbja e kreut të Serie A ndaj Napolit e kanë tronditur ekipin e Simone Inzaghit, që kërkon kthesën pikërisht në Europë.
Në krahun tjetër, Barcelona udhëton me moral të lartë. Kryeson në La Liga dhe pas suksesit në Copa del Rey kundër Real Madridit, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick vjen me entuziazëm pavarësisht mungesës së Robert Lewandowskit. Atmosfera në Montjuïc pritet të jetë e zjarrtë përballë një sfide me ritëm të lartë.
Barça do të mbështetet te dinamizmi i De Jong dhe Pedrit në mesfushë dhe shpejtësia e Yamal e Raphinës në krahë. Stili agresiv dhe ofensiv i katalanasve është arma kryesore, megjithëse ka lënë edhe disa boshllëqe në mbrojtje. Ferran Torres pritet të startojë në majë të sulmit, mbështetur nga Olmo, Yamal dhe Raphina. Në mungesë të Baldé, katërshja e mbrojtjes do të përbëhet nga Martin, Koundé, Cubarsí dhe Martínez, me Szczesnyn në portë.
Nga ana tjetër, Interi pritet të luajë me formacionin klasik 3-5-2. Dilema kryesore për trajnerin Inzaghi është gjendja fizike e Thuram. Nëse francezi do të jetë gati, do të formojë dyshen e sulmit me Lautaron, nëse jo një mes Taremit dhe Arnautovic do të marrë vendin e tij. Në mesfushë do të jenë Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan, ndërsa në krahë do të luajnë Dumfries dhe Dimarco. Në prapavijë, krahas Bastonit dhe Acerbit, pritet të luajë Bisseck, i cili është në balotazh me Darmian dhe De Vrij. /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

