Sulmuesi i ri i Skënderbeut: Do bëj më shumë se Ekubani, frymëzohem nga Henri dhe pëlqej Sasuolon

Sulmuesi i huazuar nga Kievo, Ali Soue, ka mbërritur dje në Korçë, i shoqëruar nga agjentja italiane, Miriam Peruci. 23-vjeçari nga Gambia ka zyrtarizuar marrëveshjen me Skënderbeun, teksa firmosi për 6 mijë euro në muaj. Në fund të sezonit, nëse ai përmbush të gjitha pritshmëritë e drejtuesve bardhekuq, atëherë është rënë dakord që të negociohet me Kievon për t’i blerë kartonin.

Pas firmosjes së kontratës, Soue doli në një konferencë për shtyp, ku zbuloi gjithçka për veten, ëndrrat që ka, por edhe premtimin se do të jetë si Ekuban.

Çfarë ju bindi të largoheshit nga Italia dhe të zgjidhnit Skënderbeun?
Kam zgjedhur të vij në Shqipëri sepse doja të nisja një aventurë ndryshe. Më kanë folur shumë mirë për Skënderbeun dhe më ka tërhequr menjëherë projekti madhor i klubit korçar.

Një tjetër lojtar nga Kievo ka luajtur në Shqipëri në formë huazimi. E njihni Kaleb Ekuban?
Po, e njoh. Ai është shoku im, pasi kemi luajtur te Kievo së bashku kur ishim më të rinj. Njihemi mirë dhe ruajmë ende kontakte.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ekuban bëri një sezon fantastik te Partizani dhe më pas kaloi te Lidsi në Angli. E ëndërroni një transferim të tillë?
Sigurisht. Të tregohem i sinqertë, edhe këtë e mendoj. Është një mundësi mjaft e mirë që të jap maksimumin tim këtu dhe të arrij të përshtatem me futbollin në Shqipëri. Në anën tjetër, e di që Skënderbeu të jep mundësi të biesh në sy dhe mendoj se mund të bëj më shumë se çfarë bëri Ekuban këtu në Shqipëri.

Swiss Digital Mobile Reklama

Cila është kontrata juaj me Skënderbeun, një huazim i thjeshtë apo diçka më shumë?
Të them të vërtetën, nuk jam interesuar shumë për formulën e huazimit. Këto janë biseda që i kanë bërë dy klubet. Unë, nga ana ime, kam përqafuar menjëherë idenë për të qenë pjesë e Skënderbeut, sapo është shfaqur kjo mundësi. Mendoj që është diçka që u takon klubeve dhe unë jam i qetë në këtë pjesë.

Luani si në krah, ashtu edhe në qendër të sulmit. Cili është pozicioni juaj i preferuar?
Unë jam një lojtar që më pëlqen të vrapoj shumë në fushë, të ndihmoj ekipin. Më pas i takon trajnerit të zgjedhë se në çfarë pozicioni në sulmit do të luaj. Jam këtu për të bërë gola dhe nuk ka rëndësi se ku luaj. Qoftë në qendër apo edhe në krah, gjithçka më shkon për shtat.

Duke qenë se jemi te golat, sa mendoni se do të shënoni?
Për momentin, nuk mund të them asgjë, pasi do të ishte një premtim pa bazë. Dua të jap maksimumin në këtë ekip dhe të bëj më të mirën.

Vini nga futboll italian, kush është idhulli juaj si sulmues?
Personi që mua më ka bërë të dashurohem me sulmin është Tieri Henri. E kam ndjekur gjithmonë dhe është ai që më frymëzon në futboll. Ndërsa për sa i përket sulmuesve që luajnë në Itali, më pëlqen shumë Higuain, edhe pse nuk jam tifoz i Juventusit.

Një kuriozitet, për cilin ekip bëni tifo në Itali?
Është një pyetje që nuk mund ta them (qesh). Përveç Kievos, më pëlqen shumë loja që zhvillon Sasuolo.

Sa i informuar jeni për futbollin Shqiptar?
Të them të drejtën, është hera e parë që njihem nga afër me futbollin shqiptar dhe kam ardhur enkas për të jetuar këtë eksperiencë të re.

Për Skënderbeun keni dëgjuar të flitet?
Po, kam dëgjuar. Në kohën kur Ekuban luante te Partizani, drejtuesit e Kievos më kanë thënë se është edhe një tjetër ekip në Shqipëri që është shumë interesant. Pra, bëhej fjalë për Skënderbeun.

Në pesë takimet e zhvilluara në Ligën e Europës, keni ndjekur ndonjë?
Jam informuar herë pas here për ecurinë që në momentin që shfaqën interes për mua. Edhe drejtuesit e Kievos interesoheshin për paraqitjet e ekipit tim të ri.

Skënderbeu ka shpenzuar shumë për ju, jeni gati ta justifikoni me gola?
Është e rëndësishme që unë isha i lumtur që në fillim për të ardhur këtu. Jam profesionist dhe do të bëj maksimumin që të ndihmoj ekipin të ecë përpara dhe të bëj paraqitje sa më të mira me këtë fanellë.

E njihni Hamdi Salihin? Mendoni se mund të bëni që ai të harrohet?
Unë kam ardhur këtu për të bërë lojën time, atë që dua më shumë. Bëj lojën time, stimulohem nga vetja ime. Më pëlqen të luaj dhe të jap më të mirën. Për njerëzit apo tifozët është një bast, për mua është një sfidë që dua ta fitoj.

Jeni i martuar?
Akoma jo.

Atëherë keni mundësi të gjeni edhe të dashur në Shqipëri?
(Qesh) Kjo është diçka dytësore, pasi për momentin mendoj vetëm të luaj dhe të shënoj. Mbase golat më ndihmojnë edhe për këtë objektiv. Është një qytet i bukur dhe më ka pëlqyer menjëherë./panoramasport/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?