Super Berisha ndal Interin, zikaltrit marrin pikë vetëm në “frymën e fundit” (VIDEO)
Interi bën një tjetër ndalesë në Seria A. Mbrëmjen e sotme skuadra zikaltër nuk shoi më shumë se një barazim 1-1 në transfertën ndaj Torinos, teksa do të merrnin një pikë vetëm në sekondat e fundit.
Skuadra granata gjeti shpejt rrugën e rrjetës që në minutën e 12-të, me mbrojtësin Bremer, i cili përfitoi nga një rrëmujë në zonën e zikaltërve. Ishte një ndeshje perfekte ndërkohë për Etrit Berishën, i cili ishte protagonist në dy raste. Fillimisht ai ndali një goditje të Lautaro Martinez pas një goditje të lirë, ndërkohë që disa minuta më vonë u detyrua që të evitonte një gol të sigurt pas një rrëmuje të madhe në zonën e tij.
Në fraksionin e dytë, Interi shtoi ndjeshëm presionin, por krijoi pak shanse shënimi. Torino në krahun tjetër shpërdoroi shumë, duke lënë duelin të hapur deri në fund.
Në kohën shtesë, Sanchez shënoi një gol të bukur në portën e Berishës, i cili nuk mundi që ta ndalte, megjithëse e preku topin. Me këtë barazim, Interi mbetet në vendin e tretë me 59 pikë, vetëm 3 më shumë se Juventusi, por dhe me një sfidë për të rikuperuar. /R.Lika-Koha Jonë/