Super Rey Manaj, shënon dopietë te skuadra e Barcelonës (VIDEO)

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, po kalon një formë shumë të mirë te Barcelona B, teksa sot ka shënuar dy gola në përballjen ndaj Murcias, të vlefshme për gjysmëfinalen e “Play-Off”-it.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me Fernandez në minutën e 24-t, teksa pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0. Në fragmentin e dytë të lojës, vjen dhe shpërthimi i bomberit shqiptar, i cili fillimisht në minutën e 47-të, barazon shifrat nga pika e bardhë e penalltisë.

Ndërsa në të 64-t, bëhet protagonist  me një shpërthim spektakolar nga mesfusha, afrohet bukur në hyrje të zonës dhe godet saktë në cepin e portës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit.

Pavarësisht paraqitjes së mirë të shqiptarit me katalanasit, koha e rregullt e ndeshjes përfundoi me shifrat 2-2, teksa në finalen e play-off-it kaluan vendasit e ekipit të Murcia, pas gjuajtjeve të penalltive, ku fituan me rezultatin 5-4.

Manaj deri më tani ka shënuar 14 gola gjatë këtij sezoni, por nuk ka mundur që të bindë trajnerin Koeman që ta marrë në skuadrën e tij. Paraqitja e shkëlqyer e sulmuesit me ekipin e Barcelonës B është një lajm i shkëlqyer edhe për Kombëtaren shqiptare, që në qershor do të zhvillojë dy ndeshje miqësore, ndaj Uellsit (5 qershor) dhe Republikës Çeke (8 qershor).

https://twitter.com/i/status/1393886049504530433

 

SHKARKO APP