Sylvinho: Anglia është në një tjetër nivel, ja e vërteta e bisedës me Brojën
Pas arritjes historike të kualifikimit në play off-in e Botërorit, Kombëtarja shqiptare përgatitet për duelin prestigjioz ndaj Anglisë këtë të diel në “Air Albania”. Në prag të sfidës, trajneri Sylvinho doli para mediave, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe suksesin e arritur nga kuqezinjtë.
“Mos u konfuzoni. Po flasim për Anglinë, një nga favoritët për të fituar Botërorin. Janë në një nivel tjetër. Për ne është hera e parë që luajmë në ‘play off’, ndaj presim një ndeshje të vështirë. Ata kanë shtatë fitore dhe asnjë gol të pësuar,” deklaroi braziliani.
Sylvinho komentoi edhe fitoren e fundit ndaj Andorrës, duke nënvizuar vështirësinë e saj: “Ishte një ndeshje e vështirë. E dinim që do të mbroheshin fort, por ia dolëm.”
Trajneri foli edhe për situatën me Armando Brojën, pas zhgënjimit të lojtarit në ndeshjen e kaluar: “Kam folur me Brojën dhe me grupin. Çdo gjë është zgjidhur. Ishte i zhgënjyer, por ky është një moment shumë i bukur për të gjithë ne dhe duhet ta shijojmë. Ai ka bërë mirë në disa sfida, sidomos ndaj Serbisë. Por nuk mund të fokusohemi te një lojtar i vetëm, jemi ekip.”
I pyetur për alternativat në repartin ofensiv, Sylvinho përmendi fleksibilitetin e Uzunit: “Uzuni mund të luajë në të majtë, në të djathtë dhe si sulmues i dytë. Nëse dikush tjetër i përputhet skemës, do të provohet.”
Në mbyllje, trajneri vuri theksin te puna kolektive dhe krenaria e tij për Kombëtaren: “Jam shumë krenar që drejtoj Shqipërinë. Ndihem si në shtëpi. Të mbrohesh mirë është punë e gjithë ekipit, jo vetëm e mbrojtjes. Besoj se nesër do të zhvillojmë një ndeshje shumë të mirë.”
KOHA JONË SONDAZH

