Sylvinho e la në stol, reagon Asani: S’ka mosmarrëveshje, e rrezikoj karrierën për këtë bluzë

Jasir Asani shuan të gjithë zërat që ka pasur në media ditët e fundit në lidhje me mosmarrëveshje të mundshme me trajnerin Sylvinho, pasi braziliani nuk e preferoi si titullar kundër Andorrës.

Mbi këtë çështje ka pasur edhe një reagim nga ana e Jasir Asanit në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube. Asani ka dhënë versionin e tij duke u shprehur se ka qenë gjithmonë aty për Shqipërinë dhe se pranon edhe tribunën pasi për të fanella e Kombëtares, është shumë peshë e rëndë.

“I kam dëgjuar këto zëra, unë udhëtoj tre ditë dhe jap shpirtin për fanellën kuqezi dhe të mos dalë në stërvitje, është e pamundur. E shkatërroj jetën time ashtu dhe çdo gjë që kam arritur në futboll. Unë kam qenë i lënduar ndaj Ukrainës dhe i kam thënë Sylvinhos: “Dua të luaj, e rrezikoj karrierën time për këtë bluzë”.

Unë nuk e bëj kurrë këtë, unë nuk jam mosmirënjohës, kam respekt për atë që ma ka dhënë një dorë. Sylvinho ishte njeriu që më solli te Shqipëria dhe të mos vinte Sylvinho te Shqipëria, unë nuk do të shkoja kurrë në asnjë Kombëtare, do të prisja që një ditë të më vinte ftesa e Shqipërisë ose të mbyllja karrierën. Çdo ditë vijnë mediat në stërvitje dhe unë kam qenë gjithmonë aty. Unë e pranoj edhe stolin dhe tribunën dhe nëse nuk më thërret trajneri, unë e dua shumë Shqipërinë.

Raporte më të mira se me Sylvinhon, nuk kam pasur me asnjë trajner në këtë botë. Jemi si shok, si vëllezër, për çdo problem që kam pasur edhe te Gëangju vjet, kam folur çdo ditë me stafin e Kombëtares, me doktorët. I kam treguar çdo gjë, edhe problemin më të vogël. Nuk kam qejf që nesër të dal unë keq, pra të jem i dëmtuar dhe të them jam mirë, se futem në ndeshje dhe nuk vrapoj dot, është gjynah pasi i ha hakun dikujt tjetër, një lojtari tjetër.

Me Sylvinhon kam folur pas ndeshjes me Andorrën dhe kemi folur si shok, si vëllezër. I thashë: “Ti je trajneri, ti je ai që vendos, ti je dhe stafi. Unë jam gati për ty”. Nuk i dal dot mosmirënjohës pasi ai ma dha dorën te Shqipëria, asnjë trajner tjetër para tij nuk e bëri, me ndeshjen e parë që erdha te Shqipëria ndaj Polonisë, Sylvinho më futi direkt titullar ndërkohë që unë luaja në Kore”, tha Asani.

Sylvinho e la në stol, reagon Asani: E rrezikoj edhe karrierën për Kombëtaren
Nuk e pranoi stolin me Bajramin? Jasir Asani: Edhe Botërorin të ma falin, nuk e dua para Shqipërisë

SHKARKO APP