Sylvinho para Polonisë: Një nga ndeshjet më të rëndësishme, nuk fle prej dy muajsh!
Kombëtarja e Shqipërisë është në prag të një përballjeje historike, teksa më 26 mars sfidon Poloninë në Varshavë për gjysmëfinalen “play-off” drejt Botërorit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Sylvinho analizoi kundërshtarin dhe gjendjen e skuadrës së tij, duke theksuar vështirësinë e sfidës, por edhe besimin te grupi. Tekniku kuqezi vlerësoi cilësitë e Polonisë, duke e cilësuar një skuadër të rrezikshme, sidomos në tranzicion.
“Polonia nuk është ekip me posedim dominant, por në tranzicione janë shumë të fortë. Dominojnë zona të caktuara të fushës dhe janë mësuar të luajnë në Europianë dhe Botërorë. Në këto situata arrijnë të shënojnë lehtë, sepse kanë lojtarë me cilësi. Madje, mendoj se janë më të fortë se një vit më parë,” deklaroi ai.
Sylvinho u ndal edhe te alternativat në repartin ofensiv, duke përmendur dy emra që mund të bëjnë diferencën.
“Muçi dhe Mehmeti i kemi parë vetëm në dy seanca stërvitore. Është e vështirë të vendosësh, por janë lojtarë që dinë të shënojnë. Nëse aktivizohen, mund të japin kontribut të rëndësishëm. Duhet t’i përshtatemi situatës,” u shpreh trajneri.
Duke bërë një bilanc të punës së tij, ai theksoi progresin e ekipit gjatë kësaj periudhe.
“Mendoj se jemi përmirësuar shumë që nga viti 2023. Ky është cikli im dhe shoh rritje të vazhdueshme. Edhe Polonia ka bërë progres, ndaj kjo përballje është në nivele shumë të larta,” tha Sylvinho.
Ai e cilësoi këtë duel si një nga më të rëndësishmit për Shqipërinë në vitet e fundit, duke kujtuar edhe eksperiencat e mëparshme në ndeshje të forta ndërkombëtare.
“Kemi luajtur në dy Europianë dhe kemi pasur përballje të rëndësishme, përfshirë atë me Serbinë. Por kjo është padyshim një nga ndeshjet më të rëndësishme,” nënvizoi ai.
Në fund, trajneri brazilian nuk e fshehu tensionin dhe përkushtimin maksimal për këtë sfidë vendimtare.
“A do fle sonte? Prej dy muajsh praktikisht nuk fle,” përfundoi ai, duke treguar qartë rëndësinë që ka kjo ndeshje për të dhe për gjithë Kombëtarja e Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

