Sylvinho pas fitores ndaj Letonisë: Lojtarët dhanë gjithçka, Broja si Henry!
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka analizuar suksesin 1-0 ndaj Letonisë në kualifikueset e Botërorit, duke pranuar vështirësitë e hasura në fushë, por edhe duke vlerësuar përkushtimin e lojtarëve.
“Ishte një ndeshje e vështirë, përballë një kundërshtari të fortë fizikisht dhe të rrezikshëm në lojën ajrore. Letonia e tregoi këtë edhe ndaj Serbisë dhe Anglisë. Mund ta kishin barazuar në fund”, u shpreh braziliani.
Tekniku kuqezi foli edhe për vendimet taktike gjatë lojës, duke theksuar ndryshimin me Bajramin, të cilin e cilësoi si “lojtar hibrid”, si dhe dilemat për zëvendësimin e Brojës.
“Ta hiqja më herët do të thoshte të afroja kundërshtarin më pranë zonës. Në fund e bëra, sepse isha i shqetësuar për rezultatin. Broja ka sjellë energji pozitive, ndonëse gjithmonë vjen me pak minuta në këmbë. Nuk e shoh thjesht si një ‘9’-sh klasik. Ai ka cilësi që mund ta bëjnë të ngjashëm me lojtarë si Henry, Vinicius apo Mbappe”, theksoi Sylvinho.
Në fund, trajneri u shpreh krenar për grupin dhe përgatitjen e bërë në këtë grumbullim. “Kemi punuar 10 ditë rresht për këto dy ndeshje. Bajrami u rikthye shumë mirë, Asani po stërvitet fort. Tani kemi edhe tre sfida të tjera përpara, dhe e radhës është shumë e rëndësishme. Jam krenar për të gjithë lojtarët”, përfundoi ai.

KOHA JONË SONDAZH

