Sylvinho pas mbrëmjes historike: Ia dolëm! Jam shumë krenar për lojtarët e mi
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, u shfaq tepër i lumtur dhe i emocionuar pas suksesit minimal, por historik, të arritur ndaj Andorrës. Në prononcimin për Tv Klan, tekniku kuqezi theksoi se fitorja ishte frut i sakrificës dhe përkushtimit të lojtarëve, ndërsa nuk fshehu krenarinë për gjithë kombin shqiptar.
“Ia dolëm! Jam shumë krenar për lojtarët e mi. Jam krenar edhe për 9 milionë shqiptarët që mund të jenë kudo,” u shpreh ai, duke theksuar se sfida ishte më e vështirë nga sa mund të dukej në letër. Ai kujtoi se edhe Anglia kishte vuajtur në të njëjtën fushë.
Silvinjo vuri në dukje rëndësinë e faktit që Shqipëria e siguroi kualifikimin për Play Off-in para ndeshjes së fundit, hera e dytë që ndodh në historinë e Kombëtares.
Trajneri foli gjatë edhe për zëvendësimet vendimtare, duke lavdëruar performancën e Nedim Bajramit dhe Myrto Uzunit, të cilët ndryshuan ritmin e lojës në pjesën e dytë.
“Vendimin për zëvendësimet e mora në pushim. Fola me Bajramin. Është një fantazist, golashënuesi më i mirë që kemi aktualisht. Nuk më intereson se çfarë ndodh te klubi. I heq kapelën edhe Uzunit,” deklaroi ai, duke shtuar se i vinte keq për lojtarët Pajaziti dhe Çaka që mbetën jashtë fushës për shkak të rrethanave të ndeshjes.
Silvinjo nuk ngurroi të nënvizonte punën e stafit teknik dhe faktin se ai dhe ndihmësit e tij janë tashmë të integruar plotësisht në jetën shqiptare.
“Jemi duke bërë një punë shumë të mirë si staf. Kam zgjedhur të jetoj në Shqipëri, ashtu si Doriva dhe Zabaleta. Kemi humbur vetëm një ndeshje në këto kualifikuese,” u shpreh trajneri, i cili tashmë e sheh me bindje përpara sfidën e marsit.
KOHA JONË SONDAZH

