Takaj: Presidentët në Shqipëri shesin edhe shtëpinë për të investuar në futboll
Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, deklaroi në konferencën e prezantimit të trajnerit të ri Ilir Daja se presidentët e klubeve të futbollit në Shqipëri “janë të çmendur dhe aventurierë.
“Presidentët shqiptarë janë të çmendur, janë aventurierë. Do të shesin edhe shtëpitë dhe do të mbeten në mes të rrugëve duke investuar në këtë futboll, ku ka vetëm sakrifica dhe humbje dhe asnjë mbështetje nga shteti. Skënderbeun nuk mund ta hidhja në rrugë me një të rënë të lapsit. Në rast se do të ikte Skënderbeu, do të ikja dhe unë.
Zgjedhja e Dajës? Nuk besoj se rekordit të Dajës do t’i afrohet kush. E morëm për seriozitetin dhe provat që ka dhënë në futbollin shqiptar, edhe me ekipin e Skënderbeut. Ka qenë një bisedë shumë e gjatë, sepse asnjë trajner s’do të ishte komod te Skënderbeu në këtë moment. Edhe kësaj here besoj se do t’ia dalim për ato objektiva që i kemi vënë vetes.
Ne jemi Skënderbeu i 10 viteve të fundit, me sukseset të mëdha. Nuk fitohen kampionatet në studio, por në fushat e lojës. Ne duhet të ecim në rrugën e Skënderbeut të dekadës së fundit, jo të kemi projekt inferiorësh. Duhet të jemi rivalë për kampionatin.
Titulli? Nuk është titulli objektiv, por nuk do t’i shmangemi rivalitetit për këtë trofe madhor. Duhet të jemi Skënderbeu, që kemi parë vitet e fundit. Kemi pak eksperiencë dhe shumë të rinj. Me këto probleme që ka kaluar Skënderbeu, çdo ekip tjetër do të ishte dorëzuar. Ne nuk kemi qenë komodë për të ecur në rrugën e viteve të shkuara, kemi patur shumë dilema, sepse nuk ishte dënim, por pushkatim. Vetëm jetën na kanë lënë, racizëm i pastër.
Kjo nuk ka të bëjë me dënimet, sepse në asnjë rregullore të UEFA-s, pa asnjë provë, nuk parashikohet një masakër e tillë. Ne e dimë që në një periudhë të tillë nuk mund të bësh merkato shumë cilësore. Skënderbeu do të përballet i denjë me të gjitha skuadrat”, deklaroi Takaj.