Talenti i Kosovës shërohet nga koronavirusi: Ja si mund ta mposhtni këtë pandemi!
Dy javë më parë, lajmi që Valdrin Mustafa rezultoi pozitiv me koronavirus tronditi të gjithë në Kosovë dhe jo vetëm, pasi ishte futbollisti i parë i kombëtares dardane që prekej nga Covid-19. Por, lajmi i mirë vjen nga Gjermania ku futbollisti është shëruar dhe në tamponin e bërë doli negative.
Ylli i skuadrës gjermane Hannover 96 këtë gjë e ka konfirmuar në një prononcim për Telegrafin. Pas 14 ditëve izolim së bashku me familjen e tij, Mustafa ka thënë se më nuk ka asnjë simptomë të Covid-19 dhe se ka dalë negativ.
“Testin e fundit që e kam bërë sot e kam marrë rezultatin. Falë Zotit ka dalë negativ dhe tani jam mirë. Kam qëndruar për 14 ditë i izoluar në shtëpi së bashku me familjen. Kemi respektuar rregullat dhe tani gjithçka është në rregull”, deklaroi Mustafa.
22-vjeçari tregon se përveç tij testet e fundit i kanë bërë edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.
“Edhe familjarët që kanë qëndruar me mua në shtëpi kanë bërë testin dhe kanë rezultuar negativ. U bëj thirrje të gjithëve të qëndroni në shtëpi dhe t’i respektoni rregullat, vetëm kështu mposhtet kjo pandemi”, përfundoi Mustafa.