Talenti i Tiranës, Ernest Muçi merr një ofertë nga Turqia
Një tjetër futbollist i talentuar mund të lërë Kategorinë Superiore, për t’iu bashkuar Gentjan Selmanit dhe David Domgjonit te skuadra e ligës së parë turke Menemenspor. Bëhet fjalë për Ernest Muçin sulmuesin e talentuar që ka spikatur me Tiranën në këtë sezon.
Sipas mediave turke, sidomos atyre që qëndrojnë pranë klubit nga qyteti i Izmirit, Menemenspor ka hedhur grepat për të firmosur me Ernest Muçin i cili në javët e fundit me Egbo në drejtimin e Tiranës është vënë edhe më shumë në dukje duke realizuar gola të rëndësishëm.
19-vjeçari konsiderohet një përforcim shumë i vlefshëm për të ardhmen nga drejtuesit e Menemenspor dhe për këtë arsye ata po përgatitin një ofertë për të bindur bardheblutë të lejojnë largimin e talentit të tyre. Klubi bardheblu kërkon të përfitojë sa më shumë para nga shtija e Muçit, me Tiranën që e vlerëson rreth 400 mijë euro kartonin e tij.