“Tani mund të hash DonnaKebabRumma”, Haaland dhe Donnarumma bëjnë humor pas testit të peshës
Para festave të fundvitit, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, kishte paralajmëruar futbollistët e tij: “Ai që vjen pas Krishtlindjes mbi peshë, nuk do të grumbullohet për ndeshjen me Nottingham Forest.” Mesa duket, paralajmërimi i trajnerit spanjoll e pati efektin e tij, pasi futbollistët e Citizens e kaluan me sukses “testin e peshës”.
Manchester City fitoi ndeshjen ndaj Nottingham Forest në transfertë, dhe pas këtij suksesi, futbollistët fituan të drejtën për të bërë shaka për testin e peshës. Më të spikatur në humor dukeshin Erling Haaland dhe portieri italian Gianluigi Donnarumma.
Sulmuesi norvegjez publikoi në profilin e tij një post para ndeshjes, duke treguar se ishte peshuar, i shoqëruar me shkrimin: “Gjithçka mirë”, një referim i drejtpërdrejtë për paralajmërimin e trajnerit.
Donnarumma iu bashkua Haaland me një seri fotosh nga ndeshja dhe festimet pas saj, të shoqëruara me frazën: “Krishtlindje 2025; 3 pikë dhe testi i peshës i kaluar”. Mes komenteve në këtë postim, spikat ai i Haaland, që bëri shaka me formën e shokut të skuadrës, duke shkruar: “Tani mund të hash DonnaKebabRumma”.
Momenti tregon moralin e lartë brenda skuadrës së Manchester City dhe atmosferën pozitive që ka përpara fundit të vitit. Përveç suksesit në fushë, futbollistët duket se arrijnë të mbajnë edhe humorin dhe bashkëpunimin mes tyre, çka është një element kyç për performancën e skuadrës.
KOHA JONË SONDAZH

