Tare në kërkim të një mbrojtësi, del në skenë dhe mbrojtësi i City-it
Objektivi i Milanit për një mbrojtës të ri nuk është më sekret. Për momentin, Massimiliano Allegri po “kënaqet” me De Winter, i cili ndaj Romës zhvilloi një paraqitje shumë pozitive, jo vetëm për golin që i dha avantazhin kuqezinjve, por edhe për sigurinë që dha në prapavijë. Megjithatë, në vazhdim pritet që klubi të ndërhyjë seriozisht në merkato dhe të investojë.
Prej ditësh, në ambientin kuqezi përflitet emri i Dragusin si përforcim i minutës së fundit, ndërsa për merkaton e verës objektivi kryesor mbetet Mario Gila i Lazios.
Së fundmi, në orët e fundit është shfaqur edhe një kandidat i ri surprizë: Nathan Aké. Për mbrojtësin holandez të Manchester City-t raportohet se kanë nisur kontaktet e para dhe disa sondazhe, edhe pse operacioni konsiderohet shumë i komplikuar.
Pengesa kryesore lidhet me situatën te City, teksa Guardiola ka disa lojtarë të dëmtuar dhe nuk do ta linte Aké-n të largohej lehtë. Një tjetër problem serioz është paga e tij, rreth 9 milionë euro në sezon, shifër që nuk përputhet me parametrat financiarë të Milanit.
Megjithatë, kuqezinjtë po tentojnë të kuptojnë nëse mund të krijohen kushtet për një marrëveshje të shpejtë. Ajo që është e sigurt, është se drejtori sportiv Igli Tare po lëviz me intensitet të madh për t’i dhënë Allegrit një përforcim dhe për të provuar deri në fund të mbajë gjallë garën për titullin kampion ndaj Interit.
KOHA JONË SONDAZH

