Tare udhëton në Stamboll për Muriqin, “zbarkon” me një ofertë për Fenerbahçen
Vedat Muriqi është një prej objektivave kryesorë të Lacios në merkato. Kryeqytetasit janë në kërkim të një sulmuesi dhe Muriqi është i duhuri për idetë e Simone Inzagit. Tare prej muajsh punon për të transferuar bomberin e kombëtares së Kosovës dhe mediet italiane raportojnë se së fundmi tratativat kanë marrë formë më konkrete.
Drejtori sportiv i bardhekaltërve ka udhëtuar ditën e sotme drejt Stambollit për të takuar drejtuesit e Fenerbahçes, me qëllim arritjen e marrëveshjes me klubin e njohur turk. Oferta e Lacios për Muriqin mbetet e njëjta: 15 milionë euro “CASH” dhe 3 milionë të tjera në formë bonusesh.
Fenerbahçe e ka shprehur qartë se nuk pranon oferta nën 20 milionë euro, por Tare shpreson t’i bindë për shkak se ata duhet të shesin për të evituar sanksionet prej thyerjes së rregullave të “Fair-Play” financiar. Për Muriqin interesohen edhe disa klube nga Premier Liga, por deri tani askush nuk i ka kaluar 15 milionë eurot për 26-vjeçarin.
/vipsport.al/