Taulant Balla apel në Kuvend: Duhet urgjent Ligji për Sponsorizimet në sport
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ripërsëritur thirrjen për miratimin urgjent të ligjit që parashikon nxitjen e sponsorizimeve në sport dhe art, duke paralajmëruar se mungesa e një kuadri të tillë po e pengon zhvillimin e këtyre sektorëve.
Gjatë një deklarate, Balla theksoi se kampionatet shqiptare, nga futbolli te basketbolli, nuk mund të rriten në cilësi dhe të jenë konkurruese pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të biznesit.
“Apeli i djeshëm në Kuvend për nevojën e domosdoshme të një Ligji për sponsorizimet në sporte dhe në art. Nuk do mund të kemi më kampionate futbolli, basketbolli, etj konkuruese nëse biznesit nuk i krijohen mundësi ta mbështesë sportin, artin, etj. Pse ekipet tona nuk ecin përpara në kupat europiane? Shumë e thjeshtë përgjigjia. Duhet mbështetje. Modelet janë”, u shpreh Balla.
Sipas tij, vendet e rajonit dhe të Europës tashmë zbatojnë modele të mirëstrukturuara sponsorizimi, të cilat u kanë mundësuar klubeve të avancojnë dhe të arrijnë rezultate të rëndësishme ndërkombëtare. Balla vlerësoi se edhe Shqipëria duhet të ndjekë këtë praktikë pa vonesa të mëtejshme.
Ai nënvizoi se miratimi i ligjit nuk është thjesht një reformë e nevojshme, por një proces i cili ka vonuar dhe duhet të marrë zgjidhje sa më shpejt, me qëllim që sporti dhe arti në vend të kenë mundësi reale zhvillimi dhe profesionalizimi.
KOHA JONË SONDAZH

