Taulant Xhaka njofton largimin nga Kombëtarja: Unë dhe Graniti e kemi flamurin kuqezi në zemër, por kam vendosur …

Taulant Xhaka nuk do të jetë më pjesë e Kombëtare sonë. Mesfushori që mungon prej disa kohësh ka vendosur që të mos veshë më fanellën kuqezi për shkak të dëmtimeve të shumta, por edhe për shkaqe të tij personale, që ka zgjedhur që t’i shpalosë në një letër të gjatë. Xhaka shprehet se flamurin kuqezi e ka në zemër, së bashku me vëllain e tij Granitin, por nuk do të jetë më pjesë e Shqipërisë.
LETRA E PLOTË
Letër drejtuar gjithë tifozave kuqezi, kombëtares së futbollit dhe FSHF. Të nderuar tifozë , futbollistë, dashamirës të futbollit, e nderuara Kombëtare shqiptare, krenari e gjakut tim. Dita që u vesha kuqezi ka qenë dhe mbetet dita dhe kujtimi im më i bukur i jetës time. Kam qenë dhe jam shumë krenar që u bë e mundur , që unë të vishesha kuqezi.
Ishte një ëndërr për të gjithë familjen XHAKA e cila tashmë e bërë realitet. Do jemi gjithmonë krenar dhe Mirënjohës. Nuk përshkruhen dot me fjalë emocionet dhe çastet e bukura që kam kaluar në gjirin e kombëtares kuqezi.
Të paharrueshme do mbetet kualifikimi që arritëm së bashku në Europian, apo dhe ndeshja që kaluam në Serbi. Mbi të gjitha entuziazmi dhe krenaria e përfaqësimit të kombëtares kuqezi, është një luftë për të treguar dashurinë ndaj vendit tënd të origjinës. Si unë dhe vëllai im Graniti, jemi rritur me atdhedashuri për Shqipërinë dhe Kosovën.
E gjithë familja ime na ka rritur si mua, ashtu dhe Granitin me flamurin kuqezi në zemër, me një respekt dhe krenari të veçantë për vendin tonë. Gjithmonë fillimet janë të bukura dhe askush nuk e mendon se sa shpejt ikin vitet dhe stafeta duhet dorëzuar brezit të ri. Kohët e fundit kam munguar në kombëtaren kuqezi për shkak të lëndimeve të shumta, që akoma vazhdojnë të më ndjekin. Për këtë arsye dhe shumë arsye të tjera private, kam vendosur të jap lamtumirën nga Kombëtarja kuqezi si lojtar i saj, por me zemër do jem në çdo moment pranë jush deri në frymën e fundit. Do jem përjetë KUQEZI.
Më besoni, që ky vendim është ndër vendimet më të vështira dhe emocionuese të marra ndonjëherë në jetën time. Nuk e kam pas aspak të lehtë ta marr një vendim të tillë, sepse pranë kombëtares jam ndjerë shumë shumë mirë dhe krenar. Jam mbështetur shumë nga stafi i FSHF-it, nga bashkë lojtarët e mi, si dhe nga tifozët e mrekullueshëm kuqezi.
Por, në kushtet dhe rrethanat që unë ndodhem, mendova që është më e mira t´i them në këtë moment lamtumirë kombëtares së futbollit, për t´i dhënë edhe brezit të ri mundësinë të afirmohen, që të jenë e ardhmja e kombëtares sonë të përbashkët. Dua të falënderoj përzemërsisht trajnerët me të cilët kam punuar, lojtarët, presidentin e FSHF-it z. Armando Duka, si dhe gjithë dashamirët e futbollit, për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë gjatë angazhimit tim në gjirin kuqezi.
Një falënderim i veçantë dhe special shkon për tifozat kuqezi, ata janë lojtari i 12-të dhe na kanë mbështetur në çdo kohë dhe moment. Tifozat na kanë dhënë mbështetje edhe në ditët tona më të vështira. Ata kanë qenë frymëzim i madh për mua. Tifozat e kombëtares kuqezi janë më të mirët në botë. Tani edhe unë do jem një tifoz i flaktë i kombëtares kuqezi, pra një si JU. Krenari dhe respekt për tifozat.
Nder dhe krenari e madhe për gjithë familjen XHAKA, që unë isha për disa vite pjesë e kuqezinjve. Ishte një ëndërr e shumë brezave që falë zotit tashmë e bërë realitet. Faleminderit për besimin dhe gjithçka që më dhatë! Për kombëtaren kam dhënë maksimumin dhe jam shumë krenar që isha pjesë e saj. Një falënderim edhe për familjen time që më ka mbështetur në ç’do hap të karrierës time.
View this post on Instagram
KOHA JONË SONDAZH

