Të jesh tifoz futbolli, sa rrezik ka për shëndetin?
Tifozët e futbollit përjetojnë nivele të larta stresi teksa shikojnë ekipin e tyre madje mund të arrijnë të kenë probleme me zemrën.
Studimi i Oksfordit testoi pështymën e tifozëve brazilianë gjatë humbjes së tyre historike kundrejt Gjermanisë, e ndodhur në Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2014.
Aty u gjet se nivelet e hormonit të kortizolit u rritën befas dhe me shpejtësi të madhe. Sipas studiuesve kjo mund të jetë e rrezikshme pasi rritja e nivelit të kortizolit, rrit presionin e gjakut dhe e bën zemrën të rrahë shpejt.
“Tifozët që janë të lidhur ngushtë me ekipin e tyre, ndjejnë se janë një me të dhe përjetojnë stres të madh kur shikojnë një ndeshje”, -tha Martha Newson, hulumtuese në Qendrën për Studime dhe Kohezion Social në Oksford.
Niveli i lartë i kortizolit gjithashtu mund t’iu japë njerëzve ndjenjën se jeta e tyre është në rrezik.
Në ndeshjen e vitit 2014, Gjermania e ka mundur Brazilin me rezultatin 7:1.