Telefonata e Pirlos me Ronaldon, zbulohet premtimi që i ka bërë trajneri i Juves

Ardhja e Pirlos në stolin e Juventusit ka shërbyer për të rizgjuar iluzionin e tifozëve. Pas një sezoni aspak pozitiv, të mbyllë vetëm më triumfin në kampionat, situata tashmë duket se do të ndryshoi. Ish-mesfushori është pritur me shumë optimizëm, teksa pritshmëritë janë të mëdha.

Sipas shtypit italian, Cristiano Ronaldo, protagonist në sezonin e fundit, është optimist për përmirësimin e situtës. Portugezi e mbylli sezonin mëse i irrituar nga eliminimi në Champions League, kompeticionin e preferuar. Andre Pirlo nuk ka humbur kohë, teksa sipas “La Gazzetta dello Sport” telefonata e parë që ka bërë pas marrjes së detyrës së re, ka qenë pikërisht me Cristianon.

Sulmuesi ndodhet me pushime në Mesdhe me jahtin e tij luksoz. Biseda ishte miqësore dhe shumë e përzemërt. Në të Pirlo i ka bërë edhe premtimin e parë për të kënaqur portugezin. Trajneri siguroi Ronaldon se në sezonin e ri nuk do të ishte më sulmues i parë, siç ka ndodhur shpesh herë në sezonin e fundit.

Ai do të luajë në pozicionin e tij të preferuar, nga krahu i majtë për t’u zhvendosur në qendër. Skuadra torineze duket se ka objektiva të qarta për qendërsulmuesin që do ta ndihmojë dhe bëhet fjalë për emra të njohur. Objektivi primar është Milik, ndërkohë që nuk duhen harruar as emra të tjera të njohur si Dzeko, Zapata dhe Lacazette. Një blerje që do të gëzojë së tepërmi CR7, i cili do të ketë mundësinë për të luajtur në pozicionin ku është mësuar që të bëjë diferencën. /R.Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP