Tentuan të trukonin ndeshje, ish-lojtari i Vllaznisë dënohet në Suedi
Federata Suedeze e Futbollit ka pezulluar dy futbollistë, njëri prej tyre shqiptar, madje që ka luajtur në Superiore me Vllazninë. Bëhet fjalë për Alban Jusufin, i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në Suedi.
Bashkëpunëtor i tij ka qenë edhe ish-lojtari i Manchester City, Preston, Sunderland dhe Fulham, Dickson Etuhu. Të dy janë shpallur fajtorë dhe janë pezulluar për pesë vite, duke i shpëtuar burgut. Sipas asaj që shkruan The Guarfdian, në vitin 2017 ata kanë tentuar të fiksojnë një ndeshje mes IFK Gothenburg dhe AIK.
Etuhu në nëntor u gjobit dhe duhet të paraqitej para autoriteteve herë pas here. Federata Suedeze e Futbollit i ka pezulluar për “përpjekje të qëllimshme për të bindur një lojtar të lëshojë në një nga ndeshjet e ekipit të tij”.
Në Gjykatë është provuar se Jusufi dhe nigeriani ishin takuar me portierin e AIK, Kyriakos Stamatopoulos, më 16 maj të vitit 2017, në një restorant në Stokholm. Aty tentuan t’i jepnin portierit ryshfet, rreth 160 mijë sterlina, në mënyrë që ai të lëshonte kundër IFK Gothenburg. Ish-portieri i Kanadasë, menjëherë raportoi atë që kishte ndodhur dhe ndeshja u shty për një ditë më pas. /abcnews.al