Tifozët shqiptarë fantastikë, mbi 17 mijë bileta të shitura për ndeshjen ndaj Ukrainës në “Air Albania”

Ka mbetur më pak se një javë nga nisja e grumbullimit zyrtar të Kombëtares në prag të dy ndeshjeve të fundit të UEFA Nations League ndaj Çekisë (16 nëntor) dhe Ukrainës (19 nëntor) që do të luhen në stadiumin “Air Albania”.

Atmosfera në arenën kuqezi pritet të jetë fantastike dhe e zjarrtë. Federata Shqiptare e Futbollit javën e kaluar konfirmoi që të gjitha biletat për ndeshjen me Çekinë janë shitur dhe aktualisht procesi i shitjes së biletave vijon për sfidën e fundit të grupit B1 ndaj Ukrainës.

Sipas burimeve pranë FSHF deri më tani janë shitur mbi 17 mijë bileta dhe pritet që shumë shpejt të gjitha biletat të përfundojnë. Edhe njëherë tjetër tifozët shqiptarë konfirmojnë që janë më të mirët dhe tashmë është kthyer në traditë që çdo ndeshje e Kombëtares në “Air Albania” është “sold out”.

Vitin e kaluar në nëntorin e festave të gjithë shqiptarët festuan kualifikimin për herë të dytë në finalet e një Kampionati Europian, ndërsa tani Kombëtarja lufton për vendin e parë në grupin B1,  që do ta kualifikonte automatikisht në Ligën A me ekipet më të mira Europiane.

SHKARKO APP