Tirana fiton ndaj Skënderbeut, Ndikumana i nis një mesazh Korçës
Selemani Ndikumana, autor i dy golave ndaj kampionëve të Skënderbeut, në sfidën e fazës së dytë të luajtur në “Qemal Stafa” nuk e vë në dyshim fitoren edhe në ndeshjen e së mërkurës ndaj të njëjtit ekip. – “Tirana shkon në Korçë për të fituar ndaj Skënderbeut”. Ndikumana, në sfidën e fazës së dytë të luajtur në “Qemal Stafa”, më 13 dhjetor të vitit të kaluar shënoi dy golat e fitores. Përpara nisjes drejt Pogradecit, ku 24 herë kampionët do të grumbullohen për super-sfidën e javës së 25-të, sulmuesi nga Burundi shpall objektivin e skuadrës duke kërkuar të harrohet rezultati i fundit ndaj korçarëve. – “Jemi të përgatitur për këtë ndeshje dhe gati për të luajtur. Nuk duhet të kapemi tek e shkuara pasi çdo ndeshje e re është një sfidë e re. Është e vërtetë që kam sjellë tre pikët me golat e mi në fazën e dytë por tani po mendoj për këtë ndeshje dhe po përqendrohemi në këtë sfidë për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin.” – shprehet Ndikumana. Sipas tij të gjitha skuadrat e kampionatit e shohin Skënderbeun si kundërshtarin për ta mundur teksa në këtë përballje ai pritet të ketë një duel të veçantë me mbrojtësin Kristi Vangjeli, në krah të majtë të sulmit bardheblu. – “Skënderbeu është skuadra për t’u mundur, por çdo skuadër në këtë kampionat është për t’u mundur dhe ata janë një prej tyre. Ata kanë një skuadër të mirë dhe nuk mendoj për një emër në veçantë. Pika më e fortë e tyre është grupi dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes. Kjo ndodhi në ndeshjen e parë, ndërsa në ndeshjen e dytë u treguam të rrezikshëm, në kundërsulm. E kam parë lojën e Vangjelit, por ajo që dëshiroj është të përqendrohem tek loja ime. Ne do përballemi me njëri-tjetrin dhe më i miri do fitojë.” Tirana në harkun e 8 ditëve do të përballet me 3 rivalët për titull, Skënderbeun, Kukësin dhe Partizanin. Nga rezultatet e këtyre sfidave varet shumë dhe sezoni i bardhebluve, të cilët mund të hedhin një hap drejt titullit ose të dalin jashtë këtij objektivi. – “Nëse fitojmë këtë ndeshje sjellim më shumë besim në skuadër dhe do jemi në pozita të mira në rrugën drejt titullit. Këto 3 ndeshje janë të rëndësishme dhe ne jemi të përqendruar. Të gjithë janë mirë fizikisht dhe do bëjmë më të mirën për të marrë maksimumin nga këto sfida.” Pas seancës stërvitore të së hënës, Tirana është nisur drejt Pogradecit ku do të qëndrojë e grumbulluar deri në vigjilje të sfidës me Skënderbeut, që do të jetë kryendeshja e javës së 25-të në Superiore.
KOHA JONË SONDAZH

