Tirana hipotekon titullin në Vlorë, ndalet Kukësi, Teuta shokon Partizanin (VIDEO)

Kategoria Superiore ka mbyllur javën e 25-t, me katër ndeshjet e fundit. Tirana nuk ka ndërmend që të ndalet, duke marrë një tjetër fitore në Vlorë, 2-0 ndaj Flamurtarit. Goli i parë do të shënohej nga vetë skuadra vendase, teksa pas një krosimi të Ngoo, Vrapi e devijoi topin në portën e tij. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Cobbinah realizoi edhe golin e dytë. Tirana ruan vendin e parë me 50 pikë, 6 më shumë se Kukësi.

Partizani vijon ecurinë negative duke pësuar një humbje 0-1 në shtëpi ndaj Teutës. Sfida do të vendosej në minutën e 67-të, teksa pas një aksioni të Gomez, Kallaku e ka të thjeshtë për të shënuar. Në këtë rast lojtari i Teutës pësoi një dëmtim të rëndë pas një përplasje të ashpër me Hoxhën.

Kukësi nuk mundi të shkonte më shumë se një barazim pa gola 0-0 ndaj Vllaznisë. Shkurtaj dhe Abazaj patën shumë shanse shënimi, por nuk do të arrinin që të realizonin përballë kuqebluve. Skënderbeu është i papërmbajtshëm, duke marrë 3 pikët e radhës ndaj Luftëtarit, pasi triumfoi 2-0. Mensaj dhe Jashanica ishin autorët e golave për ekipin korçar që e sheh veten tashmë larg zonës së ftohtë. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP