Tirana jep sinjale për mbijetesë, triumfon në transfertën ndaj Bylis
Superliga shqiptare u rikthye në fushë këtë të mërkurë me ndeshjet e raundit të 19-të, ku vëmendja ishte e përqendruar në Ballsh. Në stadiumin “Adush Muça”, Tirana arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Bylisit, duke u imponuar me rezultatin minimal 0-1.
Ndeshja u vendos në minutën e 63-të, kur Rafa Freitas u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke i dhënë bardhebluve tre pikë jetike në garën për mbijetesë. Ishte një sukses i domosdoshëm për Tiranën, që vinte pas një ecurie tepër të vështirë dhe një pritjeje të gjatë për fitore.
Kjo ishte vetëm fitorja e dytë sezonale për kryeqytetasit. Pas triumfit në derbin ndaj Partizanit në raundin e gjashtë, Tirana kishte kaluar plot 13 javë pa shijuar sërish suksesin maksimal. Megjithatë, tre pikët e marra në Ballsh mbajnë ende gjallë shpresat.
Edhe pse mbeten në vendin e fundit të renditjes, bardheblutë ngjiten në kuotën e 13 pikëve. Ndryshimet e shumta në merkato, largimi i disa lojtarëve dhe afrimet e reja duket se kanë nisur të japin efekt. Një sinjal pozitiv ishte edhe rikthimi i Redon Xhixhës, i cili u aktivizua titullar dhe mbajti shiritin e kapitenit për pjesën më të madhe të takimit.
KOHA JONË SONDAZH

